Nga Andon Andoni
Në përgjithësi, në memorien e njerëzimit, ata që kanë shënuar një akt vetëmohimi, në mbrojtje të jetëve njerëzore, në rrethana të jashtëzakonshme, janë të gjithë heronjtë të rinj e të bukur. Në sytë e publikut i bën të tillë akti sublim që kryejnë. Në shumicën e herës duke rrezikuar dhe humbur edhe vetë jetën e tyre.
Kudo ku gjenden nëpër botë, në çdo lloj sakrifice që përfshihen bashkëkombësit tanë, për ne është një ndjenjë krenarie dhe respekti përjetimi. Në Francë, në Itali, në Angli dhe gjetkë, mediatizimi i akteve të tyre, është shëmbëlltyre e karakterit dhe moralit human shqiptar. Shpesh aktet të tilla heroike nuk kanë fund të lumtur. Atëherë si është e mundur? Çfarë kanë të veçantë këta “heronj të rastit?”
Një akt të tillë publikuan, këto ditë media audiovizive dhe ajo e shkruar e Pinellas Caunty në “News Chanell 8” (WFLA), Tampa, dhe gazetari Josho Solomon, në një gazetë të Floridës, për të riun nga Ziçishti i Korçës, Dhimitri Andoni. Veçse në këtë rast, jo vetëm akti i tij, për të shpëtuar një të aksidentuar përgjatë autostradës I-275, ishte i bukur, por dhe vetë portreti i djaloshit, studentit 22 vjeçar, ishte një bukuri mahnitëse sipas televizionit amerikan. I veshur me shije, me një kostum blu, me sy bojë qielli, fytyrëqeshur, plot dritë.
Pasi kishte kryer misionin e tij të ndihmës ndaj një të lënduari, duke qëndruar makinën në anë të rrugës, Dhimitri ishte kthyer tërë dritë dhe gaz në zemër, se kishte bërë sadopak, më dorën e ndihmës, zgjatur ndaj një motorist të rrëzuar në krah të udhës. Por fati i tij i keq, ishte se në ato pak metra, teksa kthehej për në makinën e tij, fshihej një dorë e zezë, një yshtje prej djalli.
Fshihej vdekja brenda një të quajtur Dana Byrd, 30 vjeç, i dënuar 15 herë që nga viti 2005 për vepra të ndryshme penale, rekordi i rekordeve ky sipas shtypit amerikan, me akuza që përfshijnë vozitjen nën ndikimin e alkolit, vjedhje e hakerime të ndryshme, neglizhimi i fëmijës, dhunë,shkelja e ligjeve dhe abuzime por gjithmonë duke u lënë i lirë!? Si një hienë, ky i lirë që shëtiste udhëve në gjurmim të prehut të radhës, sheh lakmitar, djaloshin sykaltër Dhimitri Andoni dhe makinën e tij Hunday 2015 në natën e 21 Shtatorit dhe i ndizet dëshira për grabitje.
I ndihmuar nga errësira dhe moti me shi , godet për vdekje Dhimitrin, duke e hedhur në ledhin buzë autostradës. Braktis makinën e tij dhe si vjedh gjithçka, sendet personale të viktimës, zhduket për rreth 7 milje nga vendi i krimit. Të gjitha këto, sipas hetuesve, janë filmuar nga kamera që kishte të instaluar, për hir të pasionit, në makinë Dhimitri, çka bëri të mundur dhe arrestimin e agresorit. Një ëndërr e prere në mes. Një frymë e mbetur pezull në errësirën e natës . Dhimitri sapo ishte ndarë atë natë nga shokët e shoqet e universitetit dhe i ishte drejtuar shtëpisë së tij ku jetonte me dy prindërit.
Punonte ditën në bankën “Wells Fargo” në Clearwater, dhe vijonte në vitin e fundit në “University of South Florida” në degën e financës. Nuk është e thjesht të hetosh mekanizmat psikologjike dhe motivacionet që transformojnë një person normal në një hero! Rrallëherë djem të tillë heronj si Dhimitri, kanë mundësinë të jenë përsëdyti: akti heroik në jetë i një individi është unik, ose të paktën i rrallë.
Me siguri dihet, megjithatë, që vendimet e rrezikshme merren nga impulsi, mbi bazën e karakteristikave psikologjike, si ndjeshmëria, altruizmi, trimëria, të cilat përftohen në një ambient familjar të favorshëm, ose munden të kultivohen në rrugën e jetës.
Dhe bashkëkombësit e njihnin mirë Dhimitër Andonin për shpirtin praktik dhe altruist që shfaqte. Si një i ri i shkolluar në perëndim, (dy vitet e para të universitetit i pat kryer në Gjermani), ai ishte djaloshi që ndihte njerëzit e një gjaku dhe gjuhe me përkthimet e ndryshme kudo ku ja u lypte nevoja. Kohët e fundit kishte fituar një vend pune tek skuadra e sigurisë ndaj krimit ekonomik, në filialin e bankës, pasi kishte ndihmuar në zbulimin e një nga grupeve të falsifikimit të monedhave, me një shtrirje në disa shtete amerikane.
Por vdekja mizore ja preu në mes ëndërrta dhe shpresën për një jetë të bukur dhe plot vitalitet.
Ai iku nga kjo jetë, por ende mbi buzë dhe shpirti i ka mbetur ndjenja e fitores ndaj të ligës, ndjenja e ndihmës humane që ishte mësuar të ndante me të tjerët, me prindërit, bashkëfshatarët, miqtë dhe shokë e punës dhe universitetit. Vështirë të imagjinohet një person bujar, të qëndrojë indiferent ndaj vuajtjeve të dikujt tjetër. I tillë ishte 22 vjeçari Dhimitër Andoni
Ndaj në memorjen tonë këta heronj të thjeshtë vijnë dhe mbeten si portretet me të bukur që ke njohur ndonjëherë, të rrethuar nga dashuria, nga humanizmi, nga dhimbja kur ikin kaq befas dhe kaq vrullshëm si vetë rinia e tyre.(TemA)