Nga Flogert Muça
Lulzim Basha ka dalë dje dhe ka sulmuar me emra të përveçem disa nga biznesmenët më të rëndësishëm të vendit duke i anatemuar publikisht se paratë e tyre nuk janë të pastra dhe se janë oligarkë që kanë marrë padrejtesisht tendera nga qeveria shqiptare. Këtë e bëri nga një sallë e shtrenjtë paratë e së cilës nuk dihet kush i ka paguar duke e përforcuar edhe në emisionin “Open” të Eni Vasilit.
Mirëpo, pas gjithë asaj shfaqje mediatike që u bë dje nga PD, ka shumë indicje që të shtyjnë të mendosh se pse një kryetar opozite del dhe sulmon bizneset më të mëdha në vend, që kanë numrin më të lartë të të punësuarve? Si ka mundësi që një kryetar partie që duhet të sjellë alternativë reale për qytetarët del dhe sulmon punëdhënësit e qytetarëve? Si ka mundësi që një kryetar opozite del dhe merret me emra dhe jo me çështje e projekte për të ardhmen, siç e ka për detyrë?
Ndoshta këto pyetje nuk kanë nevojë të bëhen më për sa kohë kemi mbi katër vjet që kërkojmë opozitë e që nuk po vjen. Ndoshta, është e kotë edhe për qytetarët që të përsërisim faktin që Basha përton të bëjë opozitë në terren dhe del e mban konferenca në salla luksoze. Por ajo që duhet sqaruar është fakti se Basha dje ishte hipokrit, mashtrues dhe i pabesueshëm në atë që thoshte. Ato që duhet të thuhen janë faktet që tregojnë se sa keq po luan Basha me njerëzit të cilët nuk kërkojnë vetëm përcjellje informacioni nga media, por edhe thellim në të.
Për të kuptuar pse Basha dje u tall me qytetarët dhe i mashtroi për interes të politikës së ditës na mjaftojnë vetëm tre fakte fare të thjeshta edhe pse ka plot të tilla:
Pika e parë ku Basha mashtron masën e cila nuk ka mundësinë të gërrmojë thellë e të gjejë të vërtetën, është se ka qenë pikërisht qeveria ku ai bënte pjesë me kryeministër Sali Berishën, që më datën 18.12.2006, mazhoranca e drejtuar nga Partia Demokratike miratoi ligjin Nr.9663 “Për koncesionet” ku sanksionohet baza ligjore për dhënien e bonuseve. Në nenin 23, pika 3, gërma b thuhet se “në rastin e propozimeve të pakërkuara, propozuesi ftohet të marrë pjesë në procedurën përzgjedhëse konkuruese dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, atij i jepet një bonus për rezultatin teknik dhe/ose financiar të arritur gjatë procedurës përzgjedhëse konkuruese deri në një maksimum 10 për qind të pikëve.
Pra, ka qenë Partia Demokratike e Lulzim Bashës ajo që e futi bonusin si element shtesë dhe për rrjedhojë në praktikat e tyre gjithmonë kanë qenë fitues marrësit e bonusit. Kaq mjafton për të rrëzuar të gjithë argumentin e PD-së se sot biznesmenët kanë fituar në paligjshmëri. Ose më së paku, PD është e fundit që duhet të flasë për këtë ligj!
Pika e dytë që është poashtu fakt i ditur nga të gjithë, ka të bëjë me financuesit e PD-së. Disa prej atyre që Basha ka futur në listë dje si oligarkë të qeverisë janë haptazi sot e mot me PD-në dhe kanë financuar PD-në në të gjitha fushatat zgjedhore. Ndaj sipas logjikës së Bashës, nuk ka se si qeveria të ketë favorizuar kompanitë që donacionet i çojnë te kundërshtari.
Pika e tretë pse Basha u hakërrye dje aq fort në fakt tregon shterpësinë e tij politike. Ajo që bie në sy është shkolla e vjetër e komunikimit në PD, ku Basha duke kopjuar nunin e tij politik, Sali Berishën, bëri ato deklarata që asnjë kryetar partie nuk duhet t’i bëjë kundër biznesit. Gjuha e dhunës, kërcënimi ndaj bizneseve se kur të vijë në pushtet do ju konfiskojë pasuritë (duke iu vënë praktikisht që sot gjoba) e të tjera hakërrime si këto, nuk janë asgjë tjetër veçse mendësia e vjetër e PD-së. Të gjitha këto ndodhin si për të treguar se në kushtet kur nuk ke alternativë, nga kolapsi nuk di se ç’bën.
Kaq e thjeshtë është historia e shfaqjes së djeshme të PD-së, e cila për fat të keq në vend që të merret me hartimin e një programi si alternativë për shqiptarët, del dhe hedh fletërrufe ndaj disa biznesmenëve që janë në fund të ditës absolutisht shumë herë më të dobishëm se Basha për qytetarët shqiptarë!/LEXO.AL