Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga Maratona e Tiranës, kryeqyteti po bëhet gati për të për të mirëpritur vrapuesit, jo vetëm ata vendas, por dhe ata të huaj.
Rrugët ku është parashikuar edhe itinerari i maratonës po vishen me ngjyrat e maratonës duke premtuar në këtë mënyrë një festë të vërtetë sportive.
Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka bërë thirrje qytetarëve, amatorë ose profesionistë që të marrin pjesë në vrapimin e 7 tetorit, një garë që ka fituar seriozitetin e një aktiviteti ndërkombëtar.
“Superheronjtë këtë herë kanë veshur bluzat e Maratonës së Tiranës! Regjistrohu në Tirana Marathon, sfido miqtë, stërvitu me profesionistët tanë te Parku i Liqenit dhe me 7 Tetor vrapojmë të gjithë me ritmin e qytetit. Forca”, shkruan Veliaj në Facebook.
Pjesëmarrësit në garë do të kenë mundësi që të garojnë në 3 kategori; Half Marathon (21, 0975 km), Tirana 10K dhe “We too” kjo një kategori që ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive.
Nuk do të mungojë as gara Fun Run e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe me datë 6 tetor 2018 me të rinjtë e Shkollave te Mesme të Tiranës.
Me projektin “Fun Run” Bashkia e Tiranës synon të edukojmë brezat përmes sportit, për të qenë të vendosur dhe me vetëbesim, në rrugën e tyre për të arritur qëllimet e tyre. Gjithashtu, kjo të jetë një mënyrë e mirë për t’i nxitur të angazhohen me sport dhe të fillojnë të përgatiten për të konkurruar pas disa vitesh në Maratonën e Tiranës.