Mungojnë të pandehurit dhe avokati i njërit prej të akuzuarve dështon sërish seanca për dhënien e pretencës ndaj dosjes “Shullazi”. Pretenca është shtyrë në datën 2 tetor. Vetë Aldo Tabaku kërkoi shtyrje të pretencës për arsye personale, ndërsa avokatët u shprehën se kjo është kërkesë humane.
Kjo ka bërë që trupa e prokurorëve e drejtuar nga kreu i këtij institucioni Donika Prela dhe nga Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gent Osmani të vendosin për të shtyrë seancën për dhënien e pretencës për javën tjetër.
Dosja e Shullazit futi në kaos prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi refuzuan hedhjen e shortit për të gjykuar këtë çështje pas largimit të Elisabeta Imerajt, që u emërua drejtuese e prokurorisë në Tiranë dhe Eneid Nakucit me pretendimin se është sëmurë.
Sipas prokurorit Anton Martini, pretenca e prokurorisë për dosjen “Shullazi” është gati, por mungesa e avokatit dhe të pandehurve çon në bllokim të çështjes.