Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar dje nga prokuroria që të nisin hetimet për të gjithë kontratat e nënshkruara nga LSI, sidomos asaj me Balilin. Gjatë kohës që ishte në pushtet dhe drejtonte ministrinë e Bujqësisë, LSI ka nënshkruar kontrata toke për dhënie me qira, me shoqërinë Balili gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati. Përveç drejtorëve dhe punonjësve të administratës duket se janë hapur letrat edhe për ish-ministrat e kësaj partie politike.
Balla tha gjithashtu se strukturat audituese dhe prokuroria duhen nxitur për t’i parë të gjitha kontratat pasi LSI ka nënshkruar kontrata abuzive dhe për privatizimet e liqeneve. Deklaratë kjo që ka lënë të nënkuptohet se të gjithë ish-ministrat e Ilir Metës do t’i nënshtrohen skanimit në lidhje me abuzimet.
“Z.ministër edhe diçka tjetër, për shkak se ministria e Bujqësisë është qeverisur katër vitet e shkuara nga ish-aleati ynë Lëvizja Socialiste për Integrim, por edhe për shkak se në tetë vitet përpara 2013-ës është bërë një abuzim jo vetëm me tokat bujqësore, por edhe me liqenet, duhen parë të gjitha kontratat. Në Belsh liqenet janë dhënë me qira për gjoja kultivim peshku, por në qendër të Belshit ende ushqehen peshqit me glasat e pulave, sipas kontratave që ka firmosur ish-aleati ynë në qeveri. Këto kontrata duhen prishur Z.Ministër, sepse realisht dëmtojnë zhvillimin e turizmit në zemër të Belshit, por nuk mund të vazhdohet më me kontrata të këtij lloji. Auditet, Prokuroria, duhen nxitur për t’i parë të gjitha këto kontrata njëra pas tjetrës”, tha ai.