Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka thënë dje se vendi nuk ka alternativë tjetër nëse dëshiron përkatësinë evropiane dhe në aleancën e NATOS, dhe dënoi ashpër presidentin opozitar të vendit Gjorge Ivanov i tha publikisht se nuk do të votojë më 30 shtator. Dimitrov ka akuzuar presidentin se me qasje të tillë po tenton të mbrojë krimet e pushtetit të kaluar.
“Të thuash se nuk do të votosh për këtë çështje me të cilën kemi humbur shumë gjenerata, 27 vjet kontest të pazgjidhur, është vërtetë një ikje e turpshme nga përgjegjësia. Nuk mundet të rrini në shtëpi dhe të tentoni të ndikoni në rezultatin e referendumit. Për këtë do të vendosin vetëm ata që dalin të votojnë”, tha Dimitrov, duke argumentuar më tej vlerat e ofertës së qeverisë për marrëveshjen e emrit.
“Rruga drejt NATO-s dhe BE-së ku bën pjesë edhe Greqia, çon vetëm përmes zgjidhjes së kontestit për emrin. Kjo mund mos të na pëlqej, por ky është realiteti”, ka deklaruar Dimitrov, duke theksuar se marrëveshja është më e mira që ka mundur të arrihet, duke mbrojtur identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.
Garancia nga Merkel e Stoltenberg
“Të gjithë liderët duke filluar nga sekretari i përgjithshëm NATO-s Jens Stoltenberg, deri tek kancelaria gjermane Angela Merkel kanë treguar se nuk ka një plan B, që të ulemi në atë tavolinë dhe gjithë ata që janë të ulur atje, na presin të bëhemi pjesë e tyre”, tha Dimitrov, duke shtuar se garancitë për anëtarësim në NATO janë të forta, pasi marrëveshja nuk mund të hyjë në fuqi nëse Parlamenti i Greqisë nuk miraton protokollet për anëtarësim të vendit në NATO.
Ai shpjegoi gjitha aspektet e marrëveshjes së Prespës, duke shtuar se gjatë javës së kaluar ka parë tek qytetarët shumë dezinformata. “Shtetësia do të jetë maqedonas/shtetas i Maqedonisë Veriore, që do të theksohet në gjitha dokumentet. Gjuha zyrtare do të jetë gjuha maqedonase. Kodet ndërkombëtare do të mbeten MK dhe MKD, në përjashtim të targave të regjistrimit të veturave”, tha Dimitrov. Ai shtoi se amendamentet kushtetuese që duhet të miratohen pas referendumit, do të formulohen nga Kuvendi i Maqedonisë me dy të tretat e votave, me debat publik, dhe afate të parapara sipas Rregullores së Kuvendit.
Ivanov mohon referendumin
Vendimin për të mos votuar më 30 shtator, Ivanov e ka bërë të ditur nga SHBA, gjatë vizitës në Kishën Ortodokse në Detroit, ku tha se marrëveshja është e dëmshme për interesat kombëtare e shtetërore. “Unë isha një nga ata që kanë dhënë votën time për Republikën e Maqedonisë, në vitin 1991, për konstituimin e saj si shtet i pavarur dhe sovran, me emrin dhe identitetin e saj. Dy herë kam marr besimin e qytetarëve për të mos lejuar ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit të shtetit. Unë nuk heq dorë nga premtimi im andaj më 30 shtator nuk do të dal të votoj”, ka deklaruar Ivanov.
Më tej presidenti ka drejtuar akuza të rënda ndaj partive politike, që sipas tij, po shkelin vullnetin e qytetarëve. “Mendoj se kjo marrëveshje është e dëmshme për Maqedoninë. Asnjë politikan nuk ka mandat të negociojë për identitetin e një populli. Shumica e qytetarëve maqedonas nuk kanë votuar për program, me të cilin është paraparë ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, për të ndryshuar emrin e shtetit. Prandaj, as qeveria aktuale nuk ka marr mandat nga populli, e as nga votuesit për ndryshimin e identitetit, për heqje dorë nga diaspora, për humbjen e historisë”, ka deklaruar Ivanov. /Sot