Fitoi Luka Modric, por nga rivalët e tij në sallë ishte vetëm Mohamed Salah, tjetri, Kristiano Ronaldo, mungonte. Mungonte dhe ai që ka fituar shumë trofe nga FIFA, Leo Mesi. Ish-tekniku i shumë skuadrave të mëdha dhe njëherësh një prej teknikëve më të shquar në futbollin botëror, Fabio Kapello, beson se mos prania e Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit në ndarjen e çmimeve të FIFA tregon se ata “nuk kanë respekt”
Sepse, asnjëri prej tyre nuk ishin në Londër sonte, me thashethemet se CR7 ka vendosur që të mos shkojë pasi që kishte marrë vesh se çmimin e madh do ta marrë Luka Modric. “Ishte një mungesë respekti me mosardhjen e tyre. Kur mbahen Oskars, ata (të nominuarit) të gjithë janë aty. Është e mundshme që ata fitojnë shpesh por edhe humbasin shpesh. Por, duhet të jeni aty edhe kur humbisni, jo vetëm kur fitoni”, tha Kapello për “Mundo Deportivo”.
Kapelo tregohet kështu mjaft kritik me Ronaldon e Mesin që e bojkotuan këtë mbrëmje gala ku u ndanë cmimet për më të mirët. Mungesa e Ronaldos, të paktën, tregon qartë se ai nuk pajtohet me vendimin e jurisë. /Pamfleti Sport