Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka folur për herë të parë për goditjen e grupit më të rrezikshëm të Shkodrës, atij të Bajrajve. Ministri është shprehur se grupi ‘Bajraj’ është një ndër grupet kriminale më të dhunshme në vend, i strukturuar prej afro dy dekadash.
“Kur flasim për grupe duhet të dimë që për policine dhe prokurorine që merren me hetimin e tyre nuk është punë e lehte, është proces i vështirë, gjurmimesh e ndjekjesh. Në rastin konkret, grupi “Bajri”, ka së paku që 6 muaj që është nën proces intesiv ndjekjeje nga task forca e policisë së shtetit, sepse është një nga ato grupe që është të listuara tek forca e ligjit për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore.
Konkretisht nga muaji shkurt kanë nisur hetimet ndaj këtij grupi dhe mbledhjen e provave. Është një ndër grupet që operojnë në Shkodër, një ndër 6-7 grupet më të rrezikshme në shkallë vendi dhe ndër më të fortet në veri.
Është një grup i mirestruktuar kriminal me bazë lidhje të forta familjare e krahinore. Ka shtrirje ndër vite që nga 1996-1997, dhe vit pas viti anëtarët kanë ushtruar veprimtari të rregullt krimiale në Shkodër dhe jashtë këtij qyteti.
Një karakteristike tjetër është lidhja me grupet e tjera kriminale që janë grupe të rëndësishme, të cilat po hetohen nga task forca jonë në Elbasan dhe një qytet tjetër. Shtrirja e aktivitetit të grupit ose kupola e saj në Holande dhe Belgjike. Është një grup shumë i dhunshëm, përdor dhunën ekstreme ndaj rivaleve dhe viktimave.
Akuzohet për disa vepra penle, trafik droge, qëniesh njerëzore, vrasje, përdhunime dhe vënie eksplozivi. Të gjitha këto e përcaktojnë këtë grup, me rrezikshmeri të lartë shoqërore. Ky grup ka pasur influence shtetërore në kohëra të ndryshme ndër vite, madje edhe në polici, në kohët e fundit ne kemi punuar shumë që t’ia heqim këto influence”, u shpreh Xhafaj.