Kur erdhi kanabisi për herë të parë në Shqipëri?
Për këtë na ndihmon raporti zyrtar i seksionit të OKB-së për drogën i vitit 2000, kur flet për të dhënat e para të instalimit të industrisë së barit që në fakt në fidanishte të vogla prodhohej në të gjithë botën.
Irene Piveti, kryetarja e Parlamentit Italian, do të deklaronte në vitin 1997 se së shpejti Ballkani do të kthehej në një hambar i mariuanës që do të mbushte Italinë.
“Një farë e panjohur canabisi është importuar nga Europa në Shqipëri, ku është krijuar një linjë e gjerë prodhimi, e cila po transportohet në të gjitha vendet e rajonit. Por ende trafikimi po bëhet në sasira të vogla dhe jo me avionë”, shkruante raporti i UNODC në vitin 2000.
Raporti paraardhës i vitit 1999 nuk shkruante asnjë fjalë për Shqipërinë, madje nuk përmenden as shqiptarët nëpër Europë.
Por edhe pse OKB nuk kishte raporte zyrtare mbi çështjen e kanabisit, shërbimet sekrete italiane, kishin një informacion më të plotë mbi këtë çështje.
Oficerë të misionit Italian të ndihmës së policisë shqiptare u shpërndanë në terren, kryesisht në Vlorë e Sarandë, nga ku zakonisht trafikohej hashasi së bashku me klandestinët.
Pak zona në Berat dhe në Vlorë u pikasën si zona të mbjelljes së “Kërpit” që europianët e pinin si cigare por edhe e injektonin si vaj hashashi.
Por disa prej “diplomatëve me tuta” që ikën në vitin 1997 nga Shqipëria me pasaporta diplomatike sollën në Shqipëri farën e cannabis sativa që e eksperimentuan nuk dihet se pse në fshatin Lazarat.
Një fshat i madh i jugut me tradita të thella patriotike por me një tokë pjellore për një bimë që për Shqipërinë nuk ishte e njohur.
Edhe pse shqiptarët hashash kanë përdorur në shekuj, ajo nuk është cannabis cativa e ardhur nga Holanda.
Në mënyrë “shkencore” në vitin 1999 kur Shqipëria ishte ende një shtet pa shumë rregulla, në Lazarat u mbollën kubikët e parë që çelën fidanët e bimës jeshile.
Prova e parë e eksperimentuar nga agronomë me famë nga Maroku doli surprizuese.
Mjaftonte ujë dhe bima rritej sa një pemë. Gjithçka ishte entuziasmuese për “pionerët” e kësaj bime çudibërëse.
Por problemi i saj ishte përpunimi dhe natyrisht trafikimi. Për ta përpunuar, duhej izolimi dhe krijimi i një “getoje” që nuk do të “infektohej” nga jashtë.
Kurse trafikimi ishte një mission edhe më i vështirë.
Kështu lindi ajo që më pas u quajt “Republika e Lazaratit”.
PD dhe komuna që fitohej nga partia e Sali Berishës mori në proteksion të saj prodhuesit dhe përpunuesit e hashashit.
Kjo ngjalli xhelozi dhe lakmi të madhe te pushteti socialist.
Ish nëndrejtori i Policisë së Shtetit, mik i një qeveritari të lartë nga zona e Gjirokastrës çoi madje si “cjapi te kasapi” një grup të RENEA-s në Lazarat për të bllokuar maunet me hashash që ishin fshehur në ngarkesat me mallra ushqimore.
Përgjigja ishte lufta.
U plagosën oficerë të policisë, vetëm sepse krerët e uniformat blu kërkuan haraç dhe asnjëherë nuk u bë publike arsyeja e përplasjes.
Ky ishte rasti i parë kur shteti u thye në Lazarat dhe që prej asaj dite nuk do të hynte asnjë herë më për më shumë se 10 vjet.
Madje në vitin 2004 u arrit deri aty sa të gjuhej me mitroloz 12.7 helikopteri i Guardia di Finanza-s, i cili shkoi për rikonjicion filmimi.
Por deri atëherë, trafiku i hashashit bëhej nën syrin e policisë, shtetit, por edhe strukturave të saj.
Gjithçka kalonte nga portet e Sarandës, Vlorës dhe natyrisht Durrësit, ku kryekapiteni ishte njeriu më i besuar i kryeministrit. Po kush ishin kryeministrat e asaj kohe? Fatos Nano, Pandeli Majko dhe Ilir Meta.
Asnjëri, nuk foli asnjë fjalë për trafikun e cannabis cativa-s…
Por edhe pse nuk lëvizte Tirana, Europa nisi të dënojë shqiptarët e parë për trafikim droge. Të cilët më pas gjenin strehim në Shqipëri, edhe si politikanë, madje edhe të lartë. Po për këtë do të flasim në numrin e ardhshëm./Pamfleti