Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brukseli dhe bashkëpuntorët e tyre në Shqipëri janë të vendosura të shkatërrojnë përfundimisht klanin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla në prokurorinë shqiptare, duke i dhënë një tjetër goditje bunkerit të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, i përbërë nga Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe armata e tyre të hajdutëve. Llalla ishte ushtari më i besuar i bunkerit të krimit dhe korrupsionit në prokurori.
Ai mbylli dhe ngriu dosjet e krimit dhe korrupsionit të klanit Berisha-Meta. Llalla krijoi një klan në prokurori me mikesha, prokurorë të korruptuar dhe shërbëtorë të politikës. Për këtë arsye, Berisha, Meta dhe Monika luftuan me SHBA që Llalla të qëndronte pa limit në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, deri kur të ngriheshin organet e reja të drejtësisë. Fronti i korrupsionit u shpërfytyrua duke mbrojtur Llallën në parlament dhe për të penguar zgjedhjen e Arta Markut.
Pas shpalljes non grata dhe shkarkimit, amerikanët i dhanë një tjetër goditje derdimenit të Metës dhe Berishës, Adriatik Llalla, duke nxitur dhe ndihmuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda në hetimet ndaj aktivitetit të tij korruptiv. Llalla u arratis në Gjermani nga frika e prangosjes, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda i konfiskoi pasurinë, produkt i parave të pista.
Disa javë më parë, klani Llalla, mori një tjetër goditje, me shkarkimin e Rovena Gashit, e njohur si krahu i djathtë i Llallës në Prokurorinë e Përgjithshme. Shkatërrimi i klanit Llalla sapo ka nisur. Rovena Gashi do të marrë me vete edhe burrin e saj, Dritan Gina, të cilin Llalla e pati vendosur në krye të Prokurorisë së Elbasanit.
Burime pranë njerëzve të Vetingut thanë se Dritan Gina është de fakto i shkarkuar nga detyra dhe se ditët e tij janë të numëruara. Kjo për arsye se dosja e Vetingut për Rovena Gashin është e vlefshme edhe për Dritan Ginën, pasi dy bashkëshortët kanë deklaruar të njëjtën pasuri. Për rrjedhojë, Rovena Gashi dhe Dritan Gina kanë mashtruar bashkarisht me pasurinë.
Sipas Vetingut, pasuria e Rovena Gashit është e paligjshme, me fjalë të tjera është bërë me para të korrsupsionit. Ky konkluzion është i vlefshëm edhe për burrin e saj. Sipas burimeve, Dritan Gina po hetohet edhe për lidhjet të mundshme me grupet mafioze të Elbasanit, gjatë kohës kur Gina drejtonte këtë prokurori. Gina do të japë llogari edhe për përplasjen me një prokurore për çështje dosjesh. Ai do të ndëshkohet edhe për zaptimin e zyrës, kur Arta Marku e shkarkoi nga detyra, të cilën e kishte fituar si pjesë e klanit të Adriatik Llallës.
Përveç Dritan Ginës, në shenjestër të Vetingut janë grupi i prokurorëve që u rebeluan kundër Donika Prelës dhe Arta Markut, duke mos pranuar që të marrin në dorë dosjen e Shullanit. Ata i kanë vënë një damkë të zezë prokurorisë dhe shtetit shqiptar, duke u përleshur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për t’i kur dosjes së Shullazit. Përveç aspektit të pasurisë dhe raporteve me krimin, grupi i prokurorëve do të kalojë në skaner për çështjet e etikës dhe aftësistë profesionale.
Ata janë gjithashtu nën vëzhgim për shitje informacionesh dhe publikim të tyre në mediat pranë frontit të krimit dhe korrupsionit, duke deformuar të vërtetën sipas interesave të klanit dhe kundër Arta Markut dhe Donika Prelës. Zakonisht disinformimi bëhet në një portal, pas të cilit fshihet gazetari i ‘Babales’ dhe ish-sekretari i Llallës, fillimisht në ILDKPKI dhe më pas në Prokurorinë e Përgjithshme./Pamfleti