Qeveria Belge ka përshëndetur zyrtarisht punën e Policisë Shqiptare, për kapjen e Safet Rustemit, një prej personave të shumëkërkuar nga drejtësia belge.
Rustemi ishte dënuar më parë me 22 vjet heqje lirie në Belgjikë, por përpara se të shpallej vendimi i formës së prerë, ai ishte përzënë nga vendi prej Zyrës së Emigracionit.
34-vjeçari, mbi të cilin rëndonte një mandat arresti ndërkombëtar, u ndalua të shtunën në Tiranë, pranë një magazine në zonën e Xhamllikut.
E përditshmja belge “Het Nieuwsblad” shkruan se kapjen e të shumëkërkuarit e ka konfirmuar kabineti i Ministrit të Drejtësisë, Koen Geens, i cili ka shprehur vlerësim për punën e kryer nga autoritetet shqiptare.
“Realizuam një bashkëpunim të suksesshëm midis Prokurorisë Belge, e cila përgatiti dosjen penale dhe autoritetet shqiptare, të cilat me marrjen e kësaj dosje bënë të mundur arrestimin”, nënvizon një deklaratë e kabinetit të Ministrisë të Drejtësisë, e shpërndarë në shtypin vendas.
“Ministri Geens është i lumtur që autoritetet tona u treguan të aktive dhe arritën të realizonin me sukses kapjen e të shumëkërkuarit, falë këtij bashkëpunim të suksesshëm me palën shqiptare”, shton më tej kjo deklaratë.
Për “Het Neuwsblad”, “Safet Rustemi është një prej kriminelëve më të rrezikshëm në Europë”.
“Pjesë e një familje që ka kryer disa vrasje në Shqipëri, Rustemi kërkohej në Belgjikë për krijimin e një rrjeti të paligjshëm prostitucioni dhe për disa krime të tjera të dhunshme”, shkruan gazeta.
Vitin e shkuar, Rustemi ishte dënuar në Belgjikë fillimisht me 9 vite heqje lirie. Më pas, gjatë këtij viti ai mori edhe dy dënime të tjera, me 8 dhe 5 vite heqje lirie.
Megjithatë, në qershor 2017, përpara se të merrej vendim i formës së prerë, Rustemi u përzu nga vendi pasi shkeli kushtet e lirisë me kusht që i ishte akorduar në pritje të gjykimit përfundimtar.