Rreth 1200 ushtarë nga Britania e Madhe, Kroacia, Kosova dhe Forcat e Armatosura shqiptare do të zbresin nesër në datë 24 shtator në sheshin “Nënë Tereza” në kuadër të stërvitjes më të madhe të vitit e quajtur “Albanian Lion 2018”. Ndërkohë pasditen e sotme kanë mbërritur helikopterët dhe forcat e ushtrisë për të bërë përgatitjet e fundit para paradës që do të zhvillohet nesër, ku pritet që të jetë i pranishëm edhe kryeministri Rama.
Lëvizjet kanë ngjallur edhe kureshtjen e shumë qytetarëve të kryeqytetit që kanë ndjekur nga afër përgatitjet që paradën që do të zhvillohet nesër paradite në Tiranë. Ndërkohë që ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka përmes një postimi në Facebook thotë se “Albanian Lion 2018” nuk është vetëm stërvitje ushtarake, por edhe festë.
“Albanian Lion 2018”, jo vetëm stërvitje ushtarake, por edhe festë! Të hënën në Tiranë zbarkojnë jo vetëm forcat luftarake të Shqipërisë dhe Mbretërisë së bashkuar , por edhe orkestrat frymore. Orkestra Frymore e FA shqiptare dhe Banda e Trupave Mbretërorë të Armatosur bashkojnë forcat artistike. Të hënën më 24 shtator ora 10:00, paradë artistike nga #Kryeministria te sheshi “Nënë Tereza”. Po të hënën, ora 18:00, koncert te Pazari Ri. #EGjithaPërTuShijuar British Embassy Tirana
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka
Video e publikuar nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka
Përgatitja e terrenit dhe lëvizja e mjeteve dhe trupave ka filluar që më datë 9 shtator, duke shfrytëzuar bazat më të rëndësishme ushtarake të Shqipërisë, që nga bazat detare të Kepit të Palit, Pashalimanit, Porto Palermos, gadishullin e Karaburunit, bazat ajrore të Rinasit e Farkës, garnizonin e Zall-Herrit si dhe rajonin stërvitor të Bizës.
Qëllimi i kësaj stërvitjeje është realizimi i operacioneve të evakuimit jo luftarak nëpërmjet detit dhe ajrit duke përfshirë anije luftarake zbarkuese, helikopterë dhe forca speciale për veprimtaritë në tokë. Veprimet e para stërvitore nisën në bazën detare të Kepit të Palit ku komandat shqiptarë bashkë me trupat britanikë ushtruan zbarkimin në tokë me mjete amfibe si dhe ushtruan veprime të ndryshme mësymjeje.