Prej 18 dhjetorit 2017 kur një prokurore e panjohur për politikën Arta Marku u betua në Parlament dyshja Basha-Kryemadhi nuk e kanë ndalur sulmin e shantazhin ndaj Kryeprokurores. Ata nuk mungojnë në çdo rast të nxjerrin në foltore e televizione suflere, duke etiketuar e shqiptuar akuza të pabaza, banale e joprofesionale.
Ndërsa në rastet kur prokurorët arrestojnë keqberes për korrupsion që jane të enturazhit të tyre turren si skiftere dhe i kujtojnë Markut limitet e veprimit të saj ligjor. Pra si Basha e Kryemadhi dhe sejmenët e tyre në diskordancë alogjike bërtasin refrenin ndaj saj “ngjitu në dardhe se të vrava, zbrit nga dardha se të mbyta”.
Ky kor i pështirë deri në neveri nuk është i paqëllim. Së pari Basha si dhe Kryemadhi janë të rrethuar personalisht e familjarisht me pikëpyetje publike të forta për korrupsion e abuzivitet. Nga vagonat e trenit të Ilir Metës e deri te rruga e Kombit ku përflitet Lulzim Basha ka dosje e denoncime që dikun janë në raftet e arkivës së Prokurorisë dhe flitet për një shpluherosje të tyre.
E ata mendojnë se duke iu turrur Kryeprokurores të mund t’i shtyjnë ditët pa u lagur nga imoraliteti politico-financiar që i ka dominuar. Do të mjaftonin vetëm bëmat e Xhafës-vjehërr e të kunatit të Lulzim Bashës, që ai të mos kishte fytyrë të dilte në foltore.
Lulzim Basha që e ka mbushur oborrin e tij me soristë “harron”se Arta Marku nuk është nga ai gen njerëzor dhe nga ai brum profesional që shantazhohet dhe intimidohet. Natyrisht si Luli dhe Monika kanë përfituar nga heshtja dhe mospërgjigja e Arta Markut.
Jo se nuk i njeh njerëzisht dhe profesionalisht, por e detyruar nga profesioni dhe mospërzierja në kënetën politike. Lulzim Basha së shpejti do të jete kokulur para gjithë kombit kur të deklasifikohen dosjet qe ai formuloi kundër drejtuesve të UÇK-së.
Pikerisht janë këto bëma të tij që çuan në Hage padrejtësisht dhjetëra djem të Kosoves. Duke sulmuar Arta Markun kjo dyshe dëshiron kolapsin e plotë të të vetmit institucion që po reziston ndryshe nga institucionet e tjera të larta të drejtësise, që de facto janë të paralizuara.Vetem mjegulla ju intereson që të mund të shtyjnë ditët përpara se t’i nenshtrohen ligjit.
Arta Marku dhe prokurorët e ndershëm të ketij vendi ndonëse fatkeqësisht në minorance kanë sot një suport të madh popullor dhe ndërkombëtar. Ata që nuk e njohin Markun çdo ditë e më teper do binden se është njeriu i duhur në kontekstin e duhur, që ka guximin të përballet me Shullazët e rrugës dhe me Shullazët e politikës. Koha do jetë dëshmitare…/Pamfleti