Elvi Fundo, gjatë një debati në studion e RTSH, në emisionin “Java”, ka zbuluar se kur është regjistruar video-skandali “Salianji – GD”.
Sipas Fundos, ky video-skandal është regjistruar gjatë seancës parlamentare ku po diskutohej për ekstradimin e “financierit” të Habilajve, Nazer Seitaj.
I gjendur përballë pyetjes së përse CNA zgjodhi që ta publikonte videon, kur mund të prekej privatësia dhe aspekte të tjera njerëzore e familjare, Fundo u përgjigj: “Nuk besoj se ka media që po ta kishte këtë, nuk do ta publikonte. Së dyti, protagonisti në video është deputet dhe qëndronte ulur në karrigen e Parlamentit.”
Më tej ai shtoi se CNA.al, para publikimit është konsultuar me avokatët më të mirë, dhe në fund të gjithë arritën në një mendim të përbashkët të publikohet, por pa zbuluar kush është GD, në mënyrë që të mos preknim familjet e të përfshirëve.