Nuk kanë të sosur zhvillimet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta mëson se një ditë më parë rreth orës 16:30 në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka pasur kaos dhe konflikt e është dashur ndërhyrja e policisë.
Siç raporton Rusta, disa prej prokurorëve për të cilët kryeprokurorja Arta Marku kërkoi hetim disiplinor pasi refuzuan dosjen Shullazi kanë kërkuar sqarime nga Prela. Ata kanë dashur ta takojnë në zyrë, por kur kjo e fundit ka refuzuar, ka pasur një tjetër rebelim në radhët e tyre. Raportohet se ata kanë hyrë me forcë në zyrën e Prelës, ndërsa kjo e fundit ka kërkuar edhe ndihmën e policisë.
Gazetari Rusta thotë se për këtë ngjarje ka edhe filmime. Situata është tensionuar aq keq sa në ambientet e Prokuririsë së Kriemve të Rënda ka shkuar edhe Drejtori i Përgjitshëm i Policisë, Ardi Veliu.
Sipas tij, pjesë e prokurorëve që kërkonin llogari nga Prela nuk ishin vetëm tre të transferuarit në rrethe, por edhe ata për të cilët Arta Marku kërkoi transferimin. Në një kohë kur çështjen Shullazi nuk e merr askush përsipër në organin qëndror të akuzës ndodh edhe lirimi nga detyra i Sokol Stojanit.
VIDEO/Patrulla e policisë, dje te Prokuroria e Krimeve të Rënda
Një ditë më parë, kryeprokurorja Arta Marku vendosi hetimin disiplinor për 10 prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë dhe transferimin e tre të tjerëve në rrethe pasi refuzuan të merrnin në dorëzim hetimin e çështjes Shullazi.
Prokurorët për të cilët u vendos hetim disiplinor
Olsian Çela, Sonila Muhametaj, Besim Hajdarmataj, Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Beçin dhe Blerim Tominajn
Prokurorët e transferuar në rrethe
Olsian Çela- Transferohet në Berat
Sonila Muhametaj- Transferohet në Pukë
Besim Hajdarmataj-Transferohet në Pogradec
Vendimi i Arta Markut erdhi pas rebelimit të prokurorëve në një mbledhje të zhvilluar me Donika Prelën. Burime për ‘Report Tv’ bënë me dije se tema e mbledhjes ishte zëvendësimi i prokurorit Eneid Nakuçi në dosjen “Shullazi”. Por ky zëvëndësim nuk është pritur mirë nga prokurorët të cilët u shprehën se e zëvendësimi i Nakuçit me një prej tyre me short është i paligjshëm.
Prej 3 javësh pretenca është bllokuar pasi Nakuçi ka ikur jashtë shtetit me pretendimin se është sëmurë, ndërsa Elisabeta Imeraj është bërë drejtuese tek Tirana. Seanca e radhës për dosjen ‘Shullazi’ është parashikuar për datë 25 shtator.
Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës. Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e bandës; Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.