Millard, “dora e fortë” e Uashingtonit për të gjitha vendet e zhytura në korrupsion, pas takimit sy më sy me Metën mori informacionin të detajuar me numrin një të shërbimit sekret shqiptar Helidon Bendo. Ambasada amerikane paralajmëroi se Millard do vizitojë dhe projekte amerikano-shqiptare, ku “shkëlqen” ai mes FBI e organeve ligjzbatuese vendase.
Krye Zv. Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Elisabeth Millard në vizitën e saj tre ditore në Shqipëri ka një mision tepër të precizuar, “sondimin” e politikës shqiptare, para se të kalohet në veprime konkrete.
Millard, “dora e fortë” e Uashingtonit për të gjitha vendet e zhytura në korrupsion dhe ku vizitat e saj janë gjithnjë 3 ditore, kohë e mjaftueshme me sa duket për të mbledhur gjithë informacionet e mundshme dhe për të dhënë më pas goditjen, është takuar me Presidentin Ilir Meta.
Teksa e ka parë nga afër këtë “dinosaur” të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri, me famë deri në SHBA dhe sidomos “vizitor” i përhershëm i DEA-s amerikanë të antidrogës, Millard i ka përcjellë mesazhin e Uashingtonit për goditjen e krimit dhe të korrupsionit në Shqipëri.
Pas këtij takimi, zyrtarja e lartë e DASH është takuar dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha, nga i cili ka marrë kërkesën për ta mbështetur atë në nismën e tij për Vettingun e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.
Në këtë vizitë tre ditore mësohet se Millard do të takojë dhe kryeministrin Edi Rama dhe nuk përjashtohet mundësia e një takimi me Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj e Kryeprokuroren e Përkohëshme Arta Marku.
Në qendër të takimeve do të jetë lufta kundër krimit, korrupsionit, trafiqeve dhe terrorizmit, ku zyrtarja e lartë e SHBA pritet të përcjellë mesazhin e fortë se arrestimi i “peshqve të mëdhenj” është një prioritet dhe se organet ligjzbatuese amerikane disponojnë dosjet e zeza të politikës.
Mësohet se sot Millard ka pasur dhe një takim jashtë kamerave dhe syve të publikut me drejtuesit e Shërbimit Sekret shqiptar të padekretuar nga Presidenti Ilir Meta, zv.drejtorin aktual të SHISH Helidon Bendo.
Nuk jepen detaje të këtij takimi, por burime shumë të rezervuara bëjnë me dije se Bendo e ka njohur zyrtaren e lartë të DASH me dosjet e rënda të krimit, trafikut dhe të korrupsionit të zyrtarëve dhe politikanëve shqiptarë. Pra të gjitha informacionet e detajuara dhe përmes përgjimeve që ka në institucionin e drejtuar prej tij. Njëherësh e ka njohur Millard dhe për detaje të tjera të luftës kundër terrorizmit, ku partneriteti dhe bashkëpunimi i SHISH me organet ligjzbatuese amerikane ka qënë efikas dhe në nivelin më të lartë.
Duke qënë se sipas ambasadës amerikane në Tiranë, gjatë vizitës së saj tre ditore në Tiranë, Krye Zv. Ndihmës Sekretarja në DASH do të vizitojë dhe projekte amerikano-shqiptare, mësohet se takimi me kreun e SHISH në këtë kuadër ka qënë.
Para dy vitesh, mes Shqipërisë dhe SHBA është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi FBI-organe ligjzbatuese shqiptare, e miratuar dhe në Kuvend.
Në atë kohë u deklarua se është një marrëveshje sa i takon forcimit të kapaciteteve policore, por SHBA përmes saj do marrë në dorë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Në marrëveshjen me SHBA, amerikanët vijnë në Tiranë për të dhënë asistencën e tyre në luftën ndaj korrupsionit.
FBI dhe SHBA do japin asistencën e tyre duke trajnuar prokurorët dhe gjyqtarët antikorrupsion, si dhe do të sjellin pajisje të teknologjisë më të fundit për Byronë Kombëtare të Hetimit. Trajnimi është fokusuar kryesisht te përgjimet dhe gjurmimi i parave të pista, ku dhe SHISH ka pjesën e vete të kontributit shtëror dhe peshën kryesore të këtij procesi.
“Programi për zhvillimin e Sektorit te Drejtësisë penale (SDP) do të sigurojë asistence për institucionet kryesore të drejtësisë penale të Shqipërisë, zyrtarët e anti-korrupsionit dhe agjencitë mbështetëse për të forcuar kapacitetin e Shqipërisë për të luftuar të gjitha format e krimit, në veçanti duke u fokusuar në përmirësimin e efektivitetit dhe cilësisë së procedimeve penale dhe forcimin institucional në këtë kuadër.
Rezultatet e projektit do të përfshijnë trajnimin, dhurimin e pajisjeve, asistencën teknike dhe këshillimin nga ekspertë të fushave, duke përfshirë ekspertët SHBA pjesëmarrës nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Bisedimet për Zgjerim të Komisionit Europian”, thuhet aty. Sipas saj, SHBA do ofrojë asistencë në 5 fusha kryesore.
E para është rritja e kapaciteteve në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së dyti do të jepet asistencë në zhvillimin e drejtësisë penale dhe përmirësimin e legjislacionit. Së treti do jepet ndihmë që gjyqet ndaj zyrtarëve të korruptuar të mbyllen sa më shpejt dhe të mos ketë më zvarritje. Së katërti, do jepet asistencë për të rritur aksesin e qytetarëve në drejtësi.
Dhe së pesti do jepet ndihmë në realizimin e vetingut. Një tjetër element i rëndësishëm është se SHBA do të ofrojë 3 milionë dollarë me qëllim realizimin e reformës në drejtësi.
Në marrëveshje theksohet se gjithçka do bëhet në koordinim dhe me Komisionin Evropian. Në marrëveshje theksohet se fondet dhe detajet e saj mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Po ashtu bëhet e ditur se përfaqësuesit e palëve do takohen dy herë në vit për të rishikuar progresin ndaj arritjes së objektivave të projektit.
Me sa duket për të parë dhe ecurinë e kësaj marrëveshjeje, rezultatet e saj konkrete Millard ka ardhur në Shqipëri dhe po zhvillon takime me zyrtarët dhe udhëheqësit politikë më të lartë shqiptarë, por dhe me drejtues të organeve ligjzbatuese. Përfshirë këtu dhe kreun e SHISH dhe mospërjashtimin e mundësisë së takimit dhe me Fatmir Xhafajn dhe Arta Markun.
“Peshqve të mëdhenj” në Shqipëri po u vjen fundi me sa duket, koha jashtë burgut është shkurtuar goxha për ta. SHBA po mbështet fuqimisht./Pamfleti