Sa herë keni ëndërruar të shihni skuadrën tuaj të zemrës të luajë në Ligën e Kampioneve? Jo, jo, nuk e kemi për Realin, Juven, Milanin, Interin, Barçën, Bajernin apo ndonjë superfuqi tjetër.
E kemi fjalën për klubet shqiptare, ato të cilat prej vitesh mundohen të shkojnë në arenën më të rëndësishme ndërkombëtare dhe e cilësojnë si objektiv të arritshëm, por nuk ia dalin asnjëherë.
Skënderbeu iu afrua më shumë në edicionin 2015-2016, duke shkuar në play-off të këtij turneu, për ët luajtur përballë Dinamos zë Zagrebit.
Kroatët kaluan në turin tjetër, ndërsa korçarët u “ngushëlluan” me pjesëmarrjen në fazën në grupe të Ligës së Europës, një tjetër risi për Shqipërinë asokohe të cilën e përsëritën dy vite më vonë. Por Liga e Kampioneve, vazhdoi të mbetet një tabu.
Ngushëllohuni, pasi nuk jemi të vetmit. Nëse për klubet spanjolle, angleze, italiane e gjermane faza në grupe e turneut është e sigurt, Shqipëria i bashkohet 21 vendeve të tjera të cilat nuk kanë shkelur asnjëherë në këtë fazë të turneut, duke u ndalur në etapa të ndryshme të kualifikueseve.
Për veç Shqipërisë, në këtë turne kanë munguar edhe: Andorra, Armenia, Bosnjë Hercegovina, Estonia, Gjeorgjia, Gjibraltari, Irlanda, Irlanda e Veriut, Islanda, Ishujt Faroe, Kosova, Letonia, Lihtenshtejni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, San Marino dhe Uellsi.
Si mendoni, do ia dalim të dërgojmë një skuadër në grupe para vendeve të mësipërme? Cila do të jetë? (vipsport)