Fatos Lubonja u ka bërë thirrje të rinjve që të revoltohen kundër qeverisë “Rama” dhe të përplasen me policinë për të kundërshtuar shëmbjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një të riu.
Analisti u tregon se ai ka bërë njëherë burg për kundërshtitë e tij ndaj sistemit dhe të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe të rinjtë e sotmëm.
“Këtu duhet bërë si në Kukës, por ne nuk e bëjmë dot, se unë dhe Maksi e kemi bërë një herë burgun, ndoshta këta të rinjtë duhet të bëjnë burg, sepse ia vlen.
Sepse gjërat vetëm kështu fitohen, kështu mund të ndërgjegjësohen njerëzit, me forcë dhe me kurajë.
Para disa ditësh pashë një dokumentar dhe u ndjeva shumë keq. Ishte për përpjekjet e grave në Britani për të fituar të drejtën e votës dhe barazinë. Ishin burgosur 1000 gra. Ishte një lëvizje e jashtëzakonshme.
Dhe një prej tyre, që donte t’i jepte zë kësaj kauze, u sakrifikua fizikisht, i doli para kalit të mbretit dhe vdiq. Nga kjo u ngrit gjithë Londra. Kështu i ka fituar bota këto gjëra dhe ne nuk kemi njerëz me mend që të hapin rrugën.
Pra, mendimi im është që të ndikojmë sa më shumë te ndërkombëtarët dhe e dyta është forma e sakrificës, për të sensibilizuar njerëzit”, tha Lubonja.(TemA)