Disa muaj më parë, në fillim të viti 2018 CNA.al publikoi një shkrim në lidhje me kompanitë që zotëroheshin nga Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës. Shpesh herë i akuzuar nga mediat si njeriu që qëndron nga pas kreut të Partisë Demokratike, së bashku me motrën e tij, e cila është edhe bashkëshortja e Lulzim Bashës, pra Aurela Basha.
Në fakt CNA.al solli të gjitha materialet e plota të disa subjekteve në pronësi të Erion Isufit, por tek këto kompani punon dhe drejton Aurela Basha, bashkëshortja e kryedemokratit, mjafton të shkosh tek zyrat e “Landmark-ut”, për të kuptuar se kush drejton dhe menaxhon atje.
Më poshtë po sjellim një tjetër material të plotë, i cili lidhet sërish me këto kompani. Por këtë herë CNA.al ka mundur të sigurojë të dhënat zyrtare të xhiros dhe të fitimeve të deklaruara të kompanisë. Ashtu siç publikuam herën e parë ekstraket e QKR-së, këtë herë po publikojmë të dhëna zyrtare në lidhje me deklarimet e bëra nga kompania “Landmark Communications”, “Landmark Premium Print”, “SRF DEVELOPMENTS” dhe “BLACKSHEEP”. Shpesh kompanitë i presin fatura njëra-tjetrës dhe po të hysh në detaje rezulton se e gjithë oligarkia në Shqipëri punon me kunatin e shokut Xhemal (Lulit), me vetë Erjon Isufin.
CNA.al nesër do të sjellë emrat e kompanive që punojnë me firmat e familjarëve të Bashës, që nga koncesionarët e qeverisë deri tek sponsorat e Edi Ramës.
Këto katër kompani që shihni në tabele janë në pronësi të Erion Isufit, kunatit të Lulzim Bashës. Sipas të dhënave fillimisht puna ka filluar me kompaninë “Landmark Premium Print”, e cila në vitin 2010 dhe në vitin 2011, ka pasur rreth 100 milion lekë xhiro dhe ka deklaruar vetëm 160 mijë lekë fitim. Më pas në vitin 2012, sipas tabelave lind kompania “Landmark Communications”, e cila e fillon vitin me 74 284 083 lekë dhe ka deklaruar vetëm 21 420 447 lekë. Pra kompania ka deklaruar rreth 1/3 e xhiros që deklaron fitim, nga 750 milionë lekë xhiro mbi 200 milionë të vjetra i deklaron fitim. Ndërkohë kompania e mëparshme “Landmark Premium Print” ka vetëm 250 milionë lekë xhiro.
Në vitin 2013 kompanisë në pronësi të Erion Isufit, “Landmark Communications” i dyfishohet xhiroja, i shkon rreth 1.4 miliardë lekë të vjetra, por fitimi i deklaruar i rritet shumë pak ai shkon vetëm 278 milionë lekë të vjetra lekë të rinj. Pra i rritet me rreth 70 milionë lekë të vjetra fitimi, ndërkohë që xhiroja është dyfishuar.
Më tej në 2014 gjatë kohës kur pushtetin e kishte Partia Socialiste në koalicion me LSI-në, kompania “Landmark Communications” shkon me një xhiro 174 993 769 lekë, por fitimi mbetet i njëjtë dhe më i vogël madje se ai i vitit 2013, edhe i njëjtë afërsisht me vitin pararendës. Nga 1.4 miliardë lekë xhiroja shkon në 174 993 769 lekë, pra 1.74 miliardë lekë të vjetra, por fitimet e deklaruara të kompanisë ulen.
Xhiroja në vitin 2015 e kompanisë “Landmark Communications” shkon në 181 157 298 lekë, 1.81 miliardëlekë të vjetra, por fitimi i deklaruar është ulur, ai shkon në 24 937 082 lekë. Kompania në 2015 ka deklaruar po aq të ardhura sa vitin e parë, pra sa në 2012 kur nisi punën. Megjithëse ka 1.8 miliardë lekë xhiro, ka më pak fitim sesa kur kishte 1.3 miliardë lekë xhiro. Këtë herë “Landmark Communications” ka rritur xhiron, por ka ulur fitim.
Dhe gjithçka shkon më “bukur” në fitimin e deklaruar të vitit 2016 dhe atij 2017.
Në vitin 2016 kompania ka afërsisht 2 miliardë lekë xhiro, por fitimin e deklaruar nuk e ka as 200 milionë lekë të vjetra. Fitimi i deklaruar në 2016, sipas të dhënave zyrtare shkon në 19 860 233 lekë, vetëm 190 milionë lekë, kur xhiroja ëeshtë 10 herë më shume. Disa herë më pak se viti 2012 fitimi, kur kompania nisi aktivitetin e saj dhe kishte vetëm 74 284 083 lekë xhiro.
Në vitin 2017, ndodh surpriza dhe kolpoja më e madhe njëkohësisht e deklarimeve. Nga të dhënat e tabelës xhiroja e kompanisë “Landmark Communications” shkon në 208 205 091 lekë,gati 2.1 miliardë lekë, ndërsa fitimi i deklaruar llogaritet 4 635 428 lekë, vetëm 46 milionë lekë të vjetra. Katër herë më pak se në vitin 2012 kur kishte vetëm 740 milionë lekë xhiro.
Pra nga viti 2012 kompania “Landmark Communications” ka trefishuar xhiron gjatë pushtetit të Rilindjes, por ka pakësuar me 4 herë fitimin e deklaruar. Ka qenë 740 milionë lekë në vitin 2012 dhe sot ka 2..8 miliardë lekë xhiro. Në vitin 2012 ka fitim të deklaruar 21 420 447 lekë, pra rreth 30 %, ndërsa në 2017 me 2.08 miliardë lekë xhiro, fitimi i deklaruar shkon në 46 milionë lekë të vjetra fiti
Me sa duket trendi i viti 2018 do të jetë po i njëjti. Deri në muajin gusht kompania “Landmark Communications” ka rreth 1 miliardë lekë xhiro.
Por, pse i sollëm këto shifra, ndoshta pak të lodhshme, por lehtësisht të kuptueshme. Mjafton të bëni krahasimin. Teksa kompanisë “Landmark Communications” i rritet vit për vit xhiroja dhe gati në 5 vit i trefishohet xhiroja, fitmet i ulen me 4 herë. Ruan një trend rritës dy vitet e para, më pas ulet dhe në finale fitimin e ka 4 herë më të vogël se 5 vite më parë.
A ka ekspert që ta shpiegojë cfarë ka ndoshur? Që një kompani e tillë e madhe, e cila zotëron një përqindje të fortë në tregun e reklamave në Shqipëri të ketë një fitim kaq minimal?
Ekspertët sqarojnë rastin në fjalë. CNA.al pyeti një prej tyre dhe padashur të identifikohet ai thekson se: “këto janë raste të pastra dhe hidhen dyshime të forta mbi një evazion fiskal. Sepse kur kompanitë kanë një rritje të fuqishme të xhiros nuk mund të ulet fitimi me 4 herë më pak me vitet pararendëse. Një trend rritës i xhiros sjell automatikisht dhe një trend rritës të fitimit të deklaruar. Do të ishte normale që minimalisht kompania “Landmark Communications” të shkonte të paktën, rreth 300 apo 400 milionë lekë fitim të deklaruar në vit. Por ashtu siç ndodh në vendin tonë fryhen bilancet, punësohen më shumë njerëz, ka më shumë emra, rriten shpenzimet dhe deklarimet janë më të ulëta”,- u shpreh eksperti për CNA.al.
Më tej ai thekson, “po të shohësh tabelën e kupton se çfarë ka ndodhur ka një rritje të menjëhershme të xhiros dhe një fitim të deklaruar 30 %, kryesisht ato janë afër viteve elektorale. Pra rreth 1.4 miliardë shkon xhiroja në vitin 2013 dhe më pas shkon rreth 1.8 miliardë në vitin 2015 dhe në 2017, sërish në vit elektoral janë 208 205 091 lekë të rinj xhiro ose afërsisht 2.1 miliardë lekë.
Por po t’i krahasosh në të dy vitet elektorale, në 2013 dhe në 2015 kompania “Landmark Communications” ka fituar mesatarisht 260 milionë lekë, kurse në vitin 2017 ka deklaruar fitim të deklaruar vetëm 46 milionë lekë të vjetra.
Këtu në këtë investigim të bërë nga CNA.al, eksperti thekson se ekzistojnë të gjitha gjasat që të ketë një evazion të thellë fiskal, por kjo është sipas shifrave të deklaruara. Gjithçka duhet të kontrollohet, por jo ashtu siç ndodh rëndomtë nga punonjës tatimesh të trembur nga politika apo të urdhëruar nga zyrat e shefave të tyre për të mbyllur dosjet e kontrollit.
Duhet kontroll i plotë për një kompani e cila duket qartë që ka një risk të madh në fitimin e deklaruar, pasi ka trefishuar xhiron e saj me 5 vite më parë dhe ka ulur me 4 herë fitimin e deklaruar. Gjithsesi eksperti thekson se këto janë dyshime të forta të një rasti për evazio fiskal. Pra diferenca e madhe midis xhiros së rritur të kompanisë dhe fitimeve që ulen në mënyrë drastike./ CNA.al