Është ndarë nga jeta orët e para të kësaj të mërkure shkrimtari shkodran Isa Alibali, i cili ka drejtuar për më shumë se 13 vite Teatrin “Migjeni”.
Homazhet zhvillohen në hollin e këtij teatri në datë 20 shtator 2018, nga ora 10:00 deri në orën 13:00.
Alibali lindi në Shkodër më 26 janar 1940.
I diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, në vitin 1960, ka punuar 3 vjet në Mirditë dhe ka qenë drejtori i parë i Gjimnazit të Rrëshenit, pastaj, ka qenë inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 kryeinspektor i kulturës në atë seksion.
Nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, ishte drejtor i Teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje trevjeçare, si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore (1969-72).
Pastaj ka qenë drejtor i Shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tre vitet e fundit, deri në daljen në pension më 1991, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”.