Kryetarët e Grupeve Parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, i kanë kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi që të mos pranojë nesër në seancë plenare, ndryshimet në Ligjin për Teatrin.
Përmes një letre, krerët e grupeve të PD dhe LSI, kanë kërkuar që në kuvend të votohet vetëm dekreti i Presidentit Meta “pro”, që rrëzon Ligjin për Teatrin Kombëtar, por jo variantin e ri me ndryshimet që ka propozuar shumica dhe që kaloi dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.
Në letër shkruhet: “Opozita parlamentare, në përputhje me nenin 81 dhe 85 të kushtetutës, kërkon nga Kryetari i Kuvendit, të ndalojë menjëherë çdo tentativë për të përfshirë në seancën e nesërme plenare, të miratimit të ndryshimeve në ligjin nr. 37/2018.
Për më tepër, ndryshimet e propozuara në mënyrë antikushtetuese nga mazhoranca, nuk eleminojnë në vetvete asnjë nga konstatimet e drejta dhe kushtetuese të bëra nga Presidenti i Republikës.
Reflektimi i konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës mund të arrihet vetëm nëpërmjet rrëzimit tërësor të ligjit.
Kuvendi në seancë, mund dhe duhet të votojë vetëm “pro” Dekretit të Presidentit të Republikës dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit do të duhet që t’ia kthejë ligjin mbrapsht Qeverisë, duke i tërhequr vëmendjen për propozimin antikushtetues që ka bërë dhe për propozimin e një iniciative korruptive dhe klienteliste, duke tentuar të fshehë paligjshmërinë pas votimit të deputetëve të Kuvendit”.
Vasili dhe Spaho kërkojnë që në kushtet kur mungon Gjykata Kushtetuese, Kuvendi ka detyrim të rishikojë ligjin në tërësi.