Nga Bedri Islami
Në harkun e dy ditëve, në dy qytete të ndryshme, si nga një kohë tjetër, erdhën dy ngjarje, të cilat kanë lidhje me një epokë, e cila, duke mos qenë e largët, ka ende trashëgiminë e saj edhe në memorien e kombit: Lufta Nacionalçlirimtare.
Në Tepelenë, kryetari i bashkisë së qytetit, Peçi, duke shoqëruar një këngë labe në përvjetorin e çlirimit të asaj treve, bashkuar në iso, tha dy a tri fjalë për Enver Hoxhën.
Në Tiranë, në një shkollë kryeqytetase, nxënësit e saj, duke festuar fillimin e një viti të ri shkollor, bënë “gjëmën”, duke kënduar këngën “Partizani i vogël Velo”.
Në të dyja rastet, herën e parë përmes deputetit të zonës, Tritan Shehu, ish komunist dhe bir komunisti, mos qofsha i gabuar djali i Masar Shehut, dhe herën e dytë në formë kori partiak, opozita e bashkuar apo e veçuar, protestoi me forcë. Tritanit të PD-së, i kishte bërë përshtypje se kryetari i bashkisë qenka bashkuar me një grup lab dhe paska mbajtur iso, pa mundur t’ia ndërrojë drejtimin këngës dhe kërkon largimin e tij nga detyra. Opozita proteston përse këndohet një këngë për një partizan të vogël, i cili, për to, përfaqëson komunizmin dhe diktaturën.
Nuk dua të hyj në diskutimin e tjerrur gjatë mbi figurën e Enver Hoxhës. Koha e ka bërë të vetën, mirëpo ajo nuk mund të hedhë poshtë një fakt, i cili, edhe pse mund të kontestohet njëqind herë, mbetet i saktë njëqind herë: Enver Hoxha ishte drejtuesi i Luftës nacionalçlirimtare, komisari fillimisht e më pas komandanti i përgjithshëm i mbi 70 mijë partizanëve, dhe mirë apo keq, përmes një lufte kundër agresorit apo ndaj forcave që u bashkuan me të, arriti të bëjë çlirimin e vendit.
Tani, në të gjithë qytetet, pasi komunizmit i hoqën edhe patkojt, dalin historianë dhe shkrues artikujsh, të cilët përpiqen t’i japin forcë vetes dhe të na bindin se në këtë luftë, ajo që ka zotëruar paska qenë përçmimi dhe urrejtja ndaj partizanëve dhe se ata, asgjë më shumë, paskan qenë një tufë e urrejtshme nga njerëzit.
Petro Marko, shkrimtari i shquar, në librin e tij autobiografik, ndër më të arriturit e letërsisë sonë, “Retë dhe gurët”, shkruan se “askund, në asnjë qytet, nuk i kanë pritur më mirë partizanët se sa në Shkodër”. Dhe, kur i kanë pritur në Shkodër kështu, kur deri në 27 nëntor kishte ende krerë nacionalistë, bajraktarë dhe ish ministra që përgatiteshin për rezistencë, por ikën me anijet e para të ulqinakëve varkarë, merret me mend se si do i kenë pritur në qytete të tjera.
Fajet e mëdha të diktaturës nuk kanë pse lidhen me një epokë tjetër, e cila, ashtu si rrodhi, mbarte në vete disa dëshmi historike, të panjohura më parë, të ndriçuara herë prapsht e herë mbarë, por që bënë një akt të madh historik: renditën Shqipërinë krahas koalicionit fitues dhe pjesë e mposhtjes së Boshtit nazist.
Nuk e di se kush ka qenë partizani Velo. Ka ekzistuar apo jo. Por e di se kush ka qenë partizani 14 vjeçar Met Hasa, nga Durrësi, i cili dha jetën në çlirimin e një qyteti verior, Pukës.
Nuk e di nëse partizani Velo është vetëm një trill krijues, por e di fare mirë se kush ka qenë partizania Liri Gero, 16-vjeçare.
Përse i përmenda vetëm këta të dy, njëra vrarë në jug e tjetri vrarë në veriun e Shqipërisë, të dy nga forcat gjermane, të lidhura ngushtë me kolaboracionistët?
Sepse, për të dy, duke e parë mënyrën e rënies së tyre heroike, krejt e papërfytyrueshme për një opozitar të sotëm, hileqar si Shehu e torollak si Noka, ata, forcat gjermane, bënë një varrim sublim.
Liri Gero vdiq, duke u djegur së gjalli, dhe dëshmoi se ajo që kishte brenda vetes nuk ishte diçka e çastit, e lindur rastësisht dhe se nuk e kishte ndër mend të bënte ndryshe. Pas aktit të saj, oficeri gjerman, i cili bënte ndëshkimin e atentatores së re dhe luftëtares, ende vajzë, rreshtoi trupat, nderoi ushtarakisht dhe nuk e përdhosi varrin e saj.
Në luftën e Rrapes, kështu quhet vendi ku u zhvillua lufta ndaj forcave gjermane në tërheqje dhe bashibozukëve të Mirakajve, për çlirimin e Pukës dhe rrethinave të saj, Met Hasa ishte një partizan i zakonshëm. Nuk i kishte bërë 15 vitet. Në të ftohtin e tetorit, i vrarë nga një breshëri plumbash, kishte mbetur i ngrirë mbi mitralozin e tij. Ishte e pabesueshme për gjithkënd. Ndodhi e njëjta gjë: trupat u rreshtuan, bënë nderimin, nuk ia përdhosën as trupin e as varrin e tij.
Të dy ata, në një kohë tjetër, u bënë Heronj të Popullit.
Sot duan të përdhosin kujtimin e tyre.
Duan që të mos këndohet edhe një këngë për to. Të shuhet në heshtje nderimi, të lihet në harresë ajo çfarë bënë dhe sakrifica që u kushtoi jetën.
Duan që mbi varret e të rënëve të mos ketë as bar, as pllakë mermeri, as lule, megjithëse, kur ven 5 maji, tinëzisht, si Uriah Hippët e politikës, venë në varrezat e dëshmorëve, venë lule, ndoshta më pas përqeshin atë që bënë, tallen me njëri tjetrin dhe mendojnë se sa vota morën përmes këtij akti.
Shqipërinë diktaturë nuk e bënë ata që dhanë jetën. Ndoshta, shumë prej tyre, ashtu idealistë si ishin, të papërmbajtur për një botë të re, mund të ishin të burgosurit e ardhshëm politikë, mund të ishin të internuar, sëbashku me ata që luftuan ballë njëri tjetrit, si do të ndodhte shpesh herë më pas; mund të ishin të harruar nga shokët e tyre, dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm një herë.
Këngët nuk i zhbën dot askush, i këndon apo jo një kryetar bashkie. Merre me mend sikur sot, të malësinë e Madhe, të këndohet një këngë për Preng Calin dhe pushtetarët të thonë që kryetari i bashkisë të largohet nga puna, sepse Preng Cali në janarin e vitit 1945, në një pritë, ku partizanët ishin me grykë ulur, vranë 45 vetë prej tyre. Në një ditë, brenda një gjysëm ore. Nëse kjo nuk ndodh, kjo nuk do të thotë se shumica qeverisëse ka frikë apo pajtohet me vrasjen, por, mendoj, se hapja e hesapeve të vjetra, për ngjarje e kohë që nuk përsëriten më, është kohë e humbur. Është kërkesë për ringjalljen e revanshit.
Mirëpo, sado protesta të bëhen, kjo e shkuar, ashtu si nuk mund të harrohet, edhe nuk zhbëhet.
Kërkesa për ribërjen e saj nuk krijon asgjë tjetër, veçse nj tabor ballistësh të rinj, të cilët, duke gërmuar majtas e djathtas, gjejnë një trakt pa emër, kapen pas një fjale “nacionalistët” dhe mendojnë se është e hedhur prej tyre. Dhe ngazëllehen prej tyre.
Më shumë se gjysma e atyre që krijuan PD-në kanë patur baballarët e tyre partizanë, e më shumë se një e treta kanë ardhur nga familjet komuniste të skalionit të dytë.
Këto, një ditë, na u bënë antipartizanë dhe antikomunistë “legjendarë”.
Kjo nuk është asgjë tjetër , veçse pulëzimi i ballistëve të rinj.
Të paktën, mes ballistëve të dikurshëm kishte mjaft trima, ndërsa mes tyre ka aq shumë frikaçë, që, edhe kur të tjerët protestojnë, gjejnë një qoshe buzë parlamentit për të urinuar.
Në luftë ka patur mjaft nacionalistë të përkushtuar për vendin e tyre, të cilët nuk kanë pyetur se çfarë mendojnë krerët, nuk kanë dashur të dinë se Këlcyra bënte pakt me dalmacion, për të mos sulmuar njëri tjetrin; ata nuk ishin njerëz të skutave, por luftëtarë në atë bindjen e tyre nacionaliste. Abaz Ermenji ishte njëri prej tyre, Hysni Lepenica ishte një tjetër, në fillimet e luftës nacional çlirimtare në Shkodër, kryetar i Frontit antifashist ishte Riza Dani, Skënder Muço ishte po ashtu figurë nacionaliste pro bashkimit…dhe duke hedhur poshtë një “partizan Velo”, hidhet poshtë edhe ajo që kanë bërë nacionalistët e devotshëm.
Shpesh herë ballistët e rinj mburren me çetat që kanë pasur, me komandant të përgjithshëm dhe bajraktarë që shkonin e luftonin në jug kundër nacionalçlirimtares.
Lërini njerëzit në ditën e tyre. Një këngë e vjetër nuk hiqet me dekrete dhe protesta opozitare dhe as me urdhra qeveritarë.
Ndërtoni një Shqipëri – lule, si e deshën dëshmorët, dhe askush nuk do të kujtohet për idhujt e së shkuarës.