Bedri Islami ka marrë në analizë dy episode të ditëve të fundit, ngjarjen në Tepelenë, ku kryetari i bashkisë së qytetit, Peçi, duke shoqëruar një këngë labe në përvjetorin e çlirimit të asaj treve, bashkuar në iso, tha dy a tri fsjalë për Enver Hoxhën.
Dhe ngjarjen në Tiranë, në një shkollë kryeqytetase, ku nxënësit e saj, duke festuar fillimin e një viti të ri shkollor, bënë “gjëmën”, duke kënduar këngën “Partizani i vogël Velo”.
“Në të dyja rastet, herën e parë përmes deputetit të zonës, Tritan Shehu, ish komunist dhe bir komunisti, mos qofsha i gabuar djali i Masar Shehut, dhe herën e dytë në formë kori partiak, opozita e bashkuar apo e veçuar, protestoi me forcë. Tritanit të PD-së, i kishte bërë përshtypje se kryetari i bashkisë qenka bashkuar me një grup lab dhe paska mbajtur iso, pa mundur t’ia ndërrojë drejtimin këngës dhe kërkon largimin e tij nga detyra. Opozita proteston përse këndohet një këngë për një partizan të vogël, i cili, për to, përfaqëson komunizmin dhe diktaturën”- shkruan Islami.
Ai shton se sado debate të bëhen për Enver Hoxhën, periudha e luftës nuk mund të preket.
“Nuk dua të hyj në diskutimin e tjerrur gjatë mbi figurën e Enver Hoxhës. Koha e ka bërë të vetën, mirëpo ajo nuk mund të hedhë poshtë një fakt, i cili, edhe pse mund të kontestohet njëqind herë, mbetet i saktë njëqind herë: Enver Hoxha ishte drejtuesi i Luftës nacionalçlirimtare, komisari fillimisht e më pas komandanti i përgjithshëm i mbi 70 mijë partizanëve, dhe mirë apo keq, përmes një lufte kundër agresorit apo ndaj forcave që u bashkuan me të, arriti të bëjë çlirimin e vendit” – shkruan Islami në DITA.