Monedha e përbashkët evropiane ndodhet në ditët e saj më të këqija. Që prej fillimit të vitit 2018, euro nisi të pësojë rënie, e cila nuk u ndal për shumë muaj me radhë. Për shkak të ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, momentalisht valuta evropiane është stabilizuar disi dhe në treg ka arritur vlerën e afro 126 lekëve. Më konkretisht, ditën e djeshme euro u këmbye me 126.66 lekë.
Por pavarësisht se monedha e përbashkët ka shënuar rritje, duhet theksuar fakti se kjo rritje është shumë e ulët nëse krahasohet niveli që ka pasur euro më parë. Kujtojmë që euro ka arritur edhe në nivelin e 140 lekëve. Mirëpo edhe pse që në fillim të 2018 u duk se ky nuk do të ishte një vit shumë i mbarë për euron, Banka e Shqipërisë vendosi të “heshtë” për ditë me radhë.
Madje BSH e cilësoi këtë si një fenomen të përkohshëm që vinte për shkak të sezonit turistik. Pyetja që lind natyrshëm është: Pse Guvernatori Gent Sejko vendosi të priste pothuajse 6 muaj që të merrte masa për stabilizimin e euros? Pse kjo situatë u neglizhua nga ai dhe njëri sy u mbyll? Sipas informacioneve të gazetës, lëvizja e BSH ka qenë e mirëmenduar sepse ka dyshime se përmes kësaj lëvizjeje u favorizuan disa biznese të caktuara. Bizneset që përfituan më shumë janë ato që gjenerojnë lek të madh.
Në krye të këtij grupi qëndrojnë supermarketet e mëdhenj, të cilët tregtojnë vetëm në lekë dhe xhiroja e tyre është vetëm në monedhën vendase. Duke qenë se leku gjatë periudhës së krizës për euron ishte shumë i fuqishëm, rënia në pikiatë e monedhës evropiane i favorizoi këto biznese. Ndërhyrja e vonë e Bankës së Shqipërisë favorizoi edhe disa banka, të cilat ashtu si supermarketet, gjenerojnë dhe qarkullojnë shuma të mëdha lekësh.
Por gazeta ka arritur të mësojë se grupi i mësipërm nuk është i vetmi që përfitoi nga kjo dobësi e euros. Nga kjo situatë dhe ndërhyrje e vonë e Bankës së Shqipërisë u favorizuan edhe disa pika të caktuara të këmbimit valutor sepse shumë prej tyre, kur euro kapi pikën më të ulët, blenë sasi të mëdha të monedhës së përbashkët evropiane dhe tani që situata është normalizuar disi, e shesin, duke marrë përfitime të mëdha.
E njëjta strategji është ndjekur edhe nga disa biznesmenë të caktuar të fuqishëm, të cilët po ashtu kanë shfrytëzuar rastin për të blerë sasi të mëdha eurosh e për t’i këmbyer më pas në momentin që situata do të normalizohej disi. Por teksa rënia e euros iu shërbeu grupeve të caktuara të interesit, kujtojmë që buxhetit të shtetit i shkaktoi një dëm prej 28 milionë eurosh.