Dekreti i Presidentit Meta për ligjin e teatrit diskutohet sot në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Ligji shumë i kontestuar nga opozita dhe një pjesë e artistëve, që synon prishjen e godinës aktuale të teatrit dhe ndërtimin e një godine të re, pritet që të amendohet në disa pika.
Pas letrës së dërguar nga BE pak ditë më parë, vetë kreu i Komisionit Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi u shpreh se mazhoranca mund të ndërhyjë në disa pika të ligjit. Por pavarësisht ndërhyrjes edhe ky dekret i Metës, ashtu si dekreti i parë që kishte të bënte me lojërat e fatit, do të rrëzohet nga mazhoranca duke i hapur njëkohësisht rrugë dhe ndërtimit të një tetari të ri.
Por krahas dekretit të presidentit “Për ligjin e teatrit”, në komisionet parlamentare sot pritet që të diskutohen dhe një sërë projektligjesh të tjera. Në komisionin për Politikën e Jashtme dhe atë të Ekonomisë ku do të jetë i ftuar dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, do të diskutohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së huasë për projektin e punimeve të autostradës Tiranë-Durrës.
Projekt ky që synon riparimin emergjent të autostradës Tiranë-Durrës. Ndërkohë në Komisionin e Ekonomisë, krahas Gjiknurit do të jetë i ftuar dhe ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj. Por krahas këtij projektligji, në këtë këto dy komisione do të diskutohet gjithashtu dhe projektligji që ka të bëjë me grantin për rehabilitimin e godinave të konvikteve të Qytetit të Studentit si dhe ai për financimin e projektit të sigurisë të digave.
Ndërsa nga ana tjetër, tek Ligjet do të votohet dhe miratohet lista e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur të Koordinimit dhe Monitorimit. Megjithatë, edhe pse sot do të diskutohen një sërë projektligjesh të rëndësishme, opozita me shumë mundësi do të vijojë të mos marrë pjesë në diskutime./Sot