Cândido Godói është një qytezë prej 7000 banorësh në jug të Brazilit dhe ajo që e bën të veçantë është numri jashtëzakonisht i lartë i binjakëve.
Niveli i lindjeve të tyre në këtë fshat është 10 herë më i lartë se mesatarja kombëtare dhe askush nuk e di përse.
Një ekip ekspertësh të genetikës i kanë hyrë punës ta zbulojnë shkakun e këtij fenomeni. Në përpjekje për të hedhur dritë mbi misterin e hershëm, specialistët kanë bashkëpunuar prej vitesh me pjesëtarë të këtij komuniteti, kanë mbledhur kampionë ADN-je e kanë krijuar një bazë të dhënash mbi historikun e familjeve.
Në qytetin e binjakëve, “të shohësh dyshe” është një normalitet, thotë BBC. Çdo dy vjet, Cândido Godói zhvillon një festival për qindra binjakët e lindur atje.
Banorët vetë nuk e shikojnë si diçka të jashtëzakonshme sepse janë mësuar me këtë gjë, por jashtë fshatit, kureshtja është e madhe. Përse ndodh pikërisht këtu? Një lloj shpjegimi edhe mund të ketë.
Qyteza ka qenë e kolonizuar nga gjermanët. Edhe sot, 80 % e popullatës është me prejardhje gjermane, 13% polakë dhe 7% etni të tjera. Ne kemi menduar se ka një lloj predispozite për lindje të tilla, rrëfejnë banorë të zonës, por qarkullojnë disa teori sipas të cilave e gjithë kjo lidhet me nazistet.
Një pjesë e vendasve pretendojnë se Jozef Mengele, i njohur ndryshe si “Engjëlli i Vdekjes”, është parë këtu në vitet 1960 përpara se të largohej prej Amerikës së Jugut dhe ka qenë i famshëm sidomos për eksperimentet që bënte me binjakët në Aushvic.