Kreu i mazhorancës Edi Rama u shpreh se Bashkia e kaluar nën drejtimin e Partisë Demokratike kishin planë të realizonin një pallat dhe të shembnin shkollën Kosova.
“Historia e kësaj shkolle mund të bëhet dhe një libër sepse ka njohur të gjitha, nga lufta për të marrë truallin e deri tek korrupsioni i gjykatave dhe prerja e pishave”, u shpreh Rama.
Pasi një kalvari 15 vitesh, Rama u shpreh se mundën të kthenin shkollën. Sipas kryeministrit në plan janë edhe ndërtimi i 17 shkollave të reja në vend.
“Këtu në këtë truall u ngatërruan të gjitha sëbashku, që nga babëzia e deri te korrupsioni i gjykatave. Shkolla u dogj, trualli u kthye në mënyrë krejtësisht të paligjshme, më pas u prenë pishat, që ishin këtu më parë dhe territori u kthye në parkim. Nga të katër anët u bë çmos për ta marrë lejen e pallatit, që do kishte zënë përfundimisht këtë kënd historik të arsimit të Tiranës.
Pastaj administrata e kaluar e bashkisë e vuri në plan të ndërtonte pallat dhe më në fund ky makth mbaroi me ndryshimin në Bashkinë e Tiranës dhe me futjen në rrugë të projektit të ri që sot nuk është më një projekt në 3D por është një projekt përpara syve tanë.
Besoj se është koha dhe sëbashku me Erionin do ta çlirojmë dhe pjesën djathtas në mënyrë që të kemi një hapësirë të denjë midis shkollës Kosova dhe gjykatës dhe fëmijët të përfitojnë më shumë mjedis publik”, tha Rama.
“Brenda pak javësh sëbashku me Bashkinë e Tiranës do të fillojmë projektin e 17 shkollave. Janë 17 shkolla që tanimë janë në fazën finale të fillimit të zbatimit të kontratave, të projektuara nga arkitektë të mëdhenj të huaj që dhe që do jenë në vazhdën e kësaj pamje dhe kësaj cilësie të re për shkollat ku shkojnë fëmijët tanë”, dha lajmin e mire Rama.