SHBA dhe BE të sjellin prokurorë dhe gjyqtarë për të arrestuar njerëzit e inkriminuar apo “peshqit e mëdhenj” siç cilësohen tashmë. Ky është mendimi ish kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë, Zef Brozi.
Ish kreu i Kasacionit ka qënë kritik ndaj opozitës në lidhje me tentativat për të bllokuar këtë proces, ndërkohë që i referohet dhe ambasadorit të SHBA në Tiranë Donald Lu kur thotë se politika, pa bërë asnjë përcaktim se cilit krah, ka frikë nga reforma në drejtësi.
“Dihet se opozita bëri gjithçka mundi dhe vazhdon të bëjë për ta sabotuar e penguar këtë refomë. Edhe bojkoti i Parlamentit që opozita po bën edhe këtë muaj është vazhdimësi e strategjisë së saj anti-reformë. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë institucionet e reja që shpresojmë të bëjnë atë që i kërkohet Shqipërisë për ndëshkimin e korrupsionit. Dihet se të korruptuarit e opozitës dhe mazhorancës do vazhdojnë të pengojnë e zvarrisin me sa munden krijimin e këtyre organeve. Por ata nuk do të kenë sukses sepse Amerika dhe Bashkimi Europian janë të vendosur në krijimin dhe mbështetjen për këto dy institucione. Besoj se kryeministri Rama dhe ata politikanë që e duan reformën në drejtësi kërkojnë që SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit të krijohen dhe të fillojne funksionimin sa më shpejt”, shprehet Brozi për Temën.
Brozi këmbëngul se duhet të marrë fund njëherë e mirë pandëshkueshmëria në Shqipëri dhe të paprekshmit duhet të dalin para drejtësisë.
“Hetimi, gjykimi dhe dënimi i ish-pushtetarëve a pushtetarëve të inkriminuar në këto çështje dhe disa krime të tjera të rënda janë jetike për shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe dhënien fund të statusit të mosndëshkimit të pushtetarëve të çdo kohe e rangu, pavarësisht nga përkatësitë partiake dhe bindjet politike. Vetëm atëherë mund të themi se po behet edhe Vettingu real i politikanëve, Vetting jo si ai pseudo-Vetting që opozita ka propaganduar këto ditë”, thekson ai.
Ndërkohë që ish kreu i Kasacionit nuk ngurron të shprehet se arkitektët dhe ekzekutorët e grushtit të shtetit më 14 shtator 1998 duhej të ishin në burg me kohë dhe jo të guxojnë sërish dhe të bëjnë thirrje për përmbysje sërish me grusht shteti sikurse po ndodh. Për Brozin përgjegjësit e ngjarjeve të Gërdecit, 21 janarit, vjedhjes së Rrugës së Kombit duhet të dalin para drejtësisë.