Një vizitor nga Kosova tek Syri i Kaltër psherëtin pikëllueshëm dhe thotë: Këtë perlë, këtë mrekulli të natyrës, as serbi në Kosovë nuk do ta trajtonte kaq barbarisht nëse do ekzistonte e ai do qeveriste!
I diplomuar për marketing e turizëm, kosovari vijoi duke thënë plot trishtim, se vargjet e Nolit: “….anës dritës i paparë/anës detit i palarë/anës sofrës i pangrënë/anës dijes i panxënë….”, më shumë se për çdo gjë tjetër, nga qëllimi fillestar për të cilin Noli i krijoi, shërbejnë sot për të treguar se ç`absurd na karakterizon si popull nga mënyra se si i trajtojmë pasuritë tona, me një mungesë ulëritëse nikoqirllëku, ndjeshmërie, aftësie menaxheriale, aq sa sipas tij, të huajt që vizitojnë “përralla natyrore” si Syri i Kaltër, kur kthehen në vendin e tyre, mundet të mos u thonë të njohurve e miqve se ç`mrekulli u kanë parë sytë; porse shkuan, panë e njohën nga afër një popull budalla, që siç thotë Noli pra, edhe pse është pranë dritës, jeton me qiri; edhe pse është afër detit, qelbet; edhe pse jeton mes bollëkut, vuan urie; edhe pse i ka të gjitha mundësitë të jetë i mençur, zgjedh të jetë budalla!
Dhe më mirë se tek Syri i Kaltër, nuk e has kurrë këtë metamorfozë trishtuese!
Dhe në këtë pikë, nuk bëjmë shumë dallim prej serbëve, por jemi ana tjetër e medaljes. Ata lanë nam me sjelljen në një ndeshje futbolli. Në vend që të zgjidhnin të fitonin e njëherësh ta ushqenin krenarinë kombëtare me gola – duke i patur gjithë mundësitë për këtë, sidomos ndaj Shqipërisë – shkuan e zgjodhën krenarinë e humbjes, aty ku gjithnjë humbin: Në nacionalizmin e tërbuar që i karakterizon.
Edhe ne, në vend që të ndërtojmë një Shqipëri të denjë më të gjithë ato pasuri mbi e nëntokësore që na ka dhuruar Zoti, të pasurohemi e t`i krenohemi botës për talentin e aftësinë e trajtimit të tyre, duke e zbukuruar tokën dhe veten tonë, shkojmë e hahemi me serbë e grekë etj për punë flamujsh me fjalë boshe e “patriotizëm” bosh.
E rëndë ta pranosh, por kjo është një pikë që na bashkon si popuj! Si dy pika uji, ndonëse njëra pikë i përket ujit normal e tjetra është me gaz; ama në finale pika uji mbeten të dyja!
P.S. Uji normal jemi ne; ata janë uji me gaz.