Kur pyet për origjinën e emërtimit Zogu u Zi, shumë njerëz rrudhin krahët e shumë të tjerë shprehen me nënqeshje.
Për të hyrë në legjendën e Zogut të Zi, pyetëm disa persona nga Tirana e hershme, që dhanë disa variante të toponimit Zogu i Zi. Disa tregues e lidhin me kohët e vona, por duket se nuk është krejt ashtu. Dy nga tregimet popullore shkojnë në kohë të hershme, të paktën para shekullit 15-të.
Ndër legjendat e njohura të kësaj treve janë ato për Kroin e Shëngjinit(në krye të Fushës së Aviacionit, mes Rrugës së Durrësit e asajt të Kavajës), Vorrin e Ashikut(në Ndroq), Kodrën Shënbu(në Farkë), etj. Flitet për popullime e shpopullime të vendit ku sot është qyteti i Tiranë, ashtu siç flitet për popullime e shpopullime në fshatra, sa “kalonte macja çati e m’çati”.
Legjendat janë thurur në mënyrë të tillë, që duket se sjellin zë nga thellësia e kohërave, zë që merret në konsideratë aq sa e lejon legjenda. Legjenda bën punën e vet si krijimtari artistike e si kujtesë popullore, sigurisht jo jashtë çdo realiteti. Kështu psh, nuk mund të thuret legjendë për kala, pa patur mure a rrënoja, nuk mund të flitet për vendbanim, pa patur varre(tuma).
Ndërsa për burime e kroje thuren legjenda për lindjen e burimit e për shterrjen e ujit. E këto të dyja janë në qytetin e Tiranës. Kështu në Kalanë (e re, po i themi), janë gjetur mure nën tokë shumë më të hershme se Kalaja e sotme. Ose u gjetën varre kohët e fundit kur u zgjerua Unaza e Tiranës (mes Zogut të Zi e “21 Dhjetorit”), ku aty afër është dhe Mozaiku). Pra, kemi të bëjmë me një truall që kanë banuar njerëz shumë më përpara se mendohej.
Në këtë grup legjendash, brenda një realiteti, hyn edhe legjenda e Zogut të Zi. Në një revistë të vitit 1942, flitet për një çezme, që kishte te gdhendur një zog. Pikërisht te kjo çezmë duket se del dhe toponimi i Zogut të Zi. Çezmen e mbajnë mend edhe banorët e sotëm. “Ka qenë një krua, i ndërtuar me gurë.
Në një gur ishte gdhendur një zog, i gdhendur në një gur të zi. Ky është fakt. Në ketë krua vinin e mbushnin ujë shumë familje që banonin rretheqark. Edhe një krua tjetër ishe nga ana e Fushës së Aviacionit të sotëm, që i thonin Kroi i Shnjinit. Unë e di se nga zogu që ishte gdhendur në gur të zi, i mbeti Zogu i Zi”, tregon një banor.
Balada “Ku po knon një zog i zi”
Gojëdhëna e Zogut të Zi, hyn në ato gojëdhëna që flasin për dhimbje, pra janë baladeske. Duket se kënga – baladë, “Seç po knon një zog i zi”, sillet rreth këtij toponimi.
Dalim te tregimi popullor. “Aty ku sot i thonë Zogu i Zi, ka qenë një çezmë. Ishte e ndërtuar me gur dhe mbushnin ujë shumë familje. Kroi kishte një histori të vjetër. Aty kish ndrru jetë një djalë i ri. E varrosën aty. Thonë se ishte nga një fshat i Tiranës, më duket nga Ahmetaqi. Një vit rresht nana e vet vinte nga larg e qante mbi vorrin e tij, që thonë se pas një viti vdiq.
Pas ajo s’ishte ma, vinte e ulej mbi atë vorr një zog i zi. Edhe deri vonë asht knue një kangë: “Ku po knonte zogu i zi?/ -N’shpinë të vorrit djalit ri”. Nga ky fshat erdhën njerëz dhe ndërtuan një çezme me gurë të zi, ku gdhendën përsipri një zog. Kështu këtij vendi i thanë Zogu i Zi, prej këtij zogu që gdhendën mbi çezme. Kështu m’kanë thanë”. Këto pohon një banor që e ka patur shtëpinë afër kësaj çezmje.
Sido që të jetë, krijimi flet për një lidhje mes reales e ireales. Ka se një arsye thelbesore në mistifikimin e zogjve si simbol të fluturimit, liris e paqes. Baladat dhe legjendat e “përdorin” zogun për të kryer detyrat njerëzore, pasi ai ka në favor: ata “shfrytëzojnë” lirshëm ajrin. Por me që ata shkëmbejnë vendndodhjen e tyre midis tokës (botës toksore) dhe ajrit (botës qiellore). Në mjaft legjenda ato simbolizojnë dhe “ndërmjetësin” midis botës fizike e shpirtërore.
Ndërmjet llojeve të ndryshme të zogjve, “zogu i zi” zë një vend të veçantë në krijime popullore, në legjenda e mite të kulturave të ndryshme. Në kulturën popullore zogu i zi është konsideruar dhe si pasqyrim i shpirtit, i dhimbjes, i lotëve, i vështirësive, etj. Për këtë arsye ai është përdorur dhe si simbol për të dëshmuar jo vetëm për jetën e sotme, por dhe atë të përtejme.Në një këngë të mbledhur në fshatin Ahmetaq(Tiranë), vargjet e para të saj janë:
Ku po knon një zog i zi?
-N’shpinë të vorrit djalit ri.
-Ka po shkoni ju shokt e mi?
Ka po shkoni e ka po veni,
Nanës time mos i dëfteni.
E zeza si ngjyrë-epitet, nuk është vetëm te zogu, po te kafshët, ëndrrat, peri, njeriu, guri, puna, hija etj. Ndonjëherë edhe vija e zezë, që duket si pe i varur në qafë të një shpendi, siç është laraska. Kujtojmë pyetjen e motrës së nëntë vëllezërve: “-Moj laraska me penin e zi,\ A m’i ke pa nantë vllaznit e mi? Ose te Kënga e Ymer Agës: “As buka s’më hahet,\ as vera s’më pihet, se kam pa një andërr t’zezë,\ Një andërr t’zezë për mu,\ se gruja m’asht martu”.
Në kohët e vona toponimi “Zogu i Zi”, filloi të lidhet me një klub prostitucioni, që u ngjan moteleve të sotme, por qëndroi për pak kohë(deri në 1944). Në ketë tregim thuhet:
“Tirana ishte e vogël. Shtëpitë shkonin deri ku janë sot ambasadat. Prej aty, ku sot kalon Rruga e Durrësit, fillonte një përrua i vogël që derdhej në Lanë. Rruga e Durrësit ishte më nga ana e Fushës së Aviacionit, pra jo ku asht sot. Në breg të këtij përroi ishte një klub. E mbaj mend, një ndërtesë me shkallë përjashta për t’u ngjitur në kat të dytë. Kati i parë shërbente edhe për kafe edhe për ushqim. Në kat të dytë hynin ata që kishin pare shumë dhe pinin të shoqëruara me femra. Kati i dytë kishte anekse për të ba qejf. Bash për ketë arsye filluan t’i thonë Zogu i Zi”. Në ketë klub kishte edhe shqiptarë, por me ketë punë merreshin ma shumë të huajt, veçanërisht italianët që punonin në Tiranë. Atëhere ndërtohej qendra me minisritë e sotme dhe rrugët e Tiranës, ku teknikët dhe inxhinierët shumica ishin të huaj”.
Nga ky tregim shumë qeshin e nënqeshin. Duket se ky tregim është jo vetëm i vonë, po nuk është në atë nivel, sa të krijojë një toponim të kësaj përmase. Koha e shkurtër e funksionimit, mendësia kolektive për objekte të tilla, si dhe ndryshimi i krejt pamjes së relievit ku ishte ky klub, bëjnë të mendosh se toponimi s’ka lidhje me klubin. Më pas dihet se për klube të tilla as që mund të bëhet fjalë, të paktën publikisht. Kujtesa popullore zakonisht nuk i regjistron objekte të tilla, aq sa t’i japë gjithë vendit rretheqark emrin. Kujtojmë, psh, kioskat që u ngritën nëpër parqe (ku kishte edhe klube prostitucioni) dhe s’u mbeti as nami e nishani. Nisur nga ky arsyetim, toponimi Zogu i Zi është shumë më i hershëm, lidhet me një dhimbje, që u përjetësua për shumë kohë me simbolin e zogut të zi të vendosur në një krua.
Shpendi i zi, simbolika e tij e ngjyrës së zezë, ka hyrë në literaturën popullore, (sigurisht që e ka përvetësuar dhe ajo e kultivuar ndër shkrimtarë të vjetër e të rinj) si ndjellës herë i së keqes e herë i mbarësisë. Zogu i zi, (korbi, fajkoi etj), shfaqet shpesh si simbol i izolimit, lajmit të keq, errësirës e misterit. Në shumë raste shihet si simbol i të keqes, mëkatit dhe djallëzisë (në saj dhe të ngjyrës së zezë). Pra, në fazat e mëvonshme të komuniteteve buqësore e tregtare gradualisht ka marrë terren simbolika negative, aq sa aktualisht, zogu i zi i shfaqur në ëndrra konsiderohet si tersllëk e ndjellës fatkeqësie.
Nga ana tjetër nuk mungojnë dhe përdorimet e tij të mëhershme si simbol i shpresës e rilindjes. Mitet e hershme flasin më tepër në favor të kësaj të fundit. Studimet e kësaj fushe tregojnë se simboli negativ për zogun e zi (p.sh. sorra e korbi) është i vonshëm. Kjo është ndikuar me faktin e ndodhjes së tyre në vendin ku kishte kufoma, pas luftërave të përgjakshme e të pabarabarta në lindje në perendim të Evropës. Ndërsa aspekti pozitiv i kësaj simbolike kushtëzohet nga faza të hershme të gjuetisë në tokë dhe peshkimit në det.
Nga këto që thamë, duket se toponimi ‘Zogu i Zi’ i Tiranës, ka ngelë që në kohë të hershme e jo në mesin e shekullit 20-të. Por, sidoqoftë, është një toponim orientues për hyrjen në unazën e vogël të qytetit.
Nga Fejzulla GJABRI