Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka sulmuar deputetët e larguar nga forca e tij politike, duke thënë se ata nuk e kanë idenë se ç’do të thotë çështja çame.
Kreu i PDIU-së i ftuar në “News 24”, ka thënë se deputetët e larguar nuk dinë se ku është selia e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe se ata janë të blerë nga Partia Socialiste. Idrizi ka kërkuar falje për faktin se nuk i ka kontrolluar siç duhet listat me emrat e deputetëve. Ai ka sulmuar deputetin e Elbasanit, Dritan Bici, i cili hyri në Parlament pasi u largua nga dekriminalizimi ish-deputeti Aqif Rakipi. “Kanë një vit, jo vetëm që nuk kanë fol për çështjen çame, por edhe sot po t’i pyesësh se ku janë zyrat, ata nuk i dinë. Pa dallim, që unë kërkoj falje publike. Nuk e kam besuar dhe menduar se kam para vetëm një Greqi, por edhe politikën dhe qeverinë.
Si kryetar i PDIU-së, nuk e kam parë listën të renditur me emrat në vendet e 4-5, sepse nuk e dija se do shkonim këtu. Ky zotëria ka ardhur i katërti. Me thënë të drejtën, unë nuk e dija. Unë e di që ne kemi qenë shumë të organizuar, por nuk e kam menduar të shoh listën tek i 4 apo 5, por herë të tjera do ta shoh. Ai zotëria nuk e ka ditur fjalën Çamëri, jam i bindur se janë kanë mësuar ata që kanë qenë përpara, sepse jam i bindur se nuk e dinte”, ka thënë dje Idrizi.
ZGJEDHJET
Duke folur për zgjedhjet, ai ka theksuar se votat e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet ia ka marrë të gjitha maxhoranca, por, sipas tij, PDIU synoi të marrë një mandat në Tiranë. “Votat i ka marrë të gjitha maxhoranca. Kjo për herë të parë nuk ishte një merkato, por kësaj here nuk ishte si tregu çam, që e thoshin me shaka. Për e rëndësishme ka qenë që në fillim, vëmendja jonë ka qenë me nxjerr mandatet në Tiranë.
Do të kishte rëndësi, që krahas këtyre mandateve do të duhet të zgjerohemi dhe kjo ishte e rëndësishme. Nuk kam qenë ndonjëherë i interesuar, sepse do ndaheshim dhe do bashkohesha për këto. I ke parë që këta të flasin për çështjen çame? Jo, asnjëherë, këto minimalisht duhet të heshtin. Ka pasur oferta për persona relevantë. Emra konkret nuk është vendi për t’i thënë.
Kam dëgjuar zëra me të drejtë. Ne kemi pasur bashkëpunim me PD dhe PS. Ka zëra që thonë do të dalim të vetëm në zgjedhje, e kemi kërkuar sistemin proporcional kombëtar, nëse do ishte kështu, ne do të kishim tani 8 mandate”, shtoi Shpëtim Idrizi.
LARGIMI
Idrizi ka sqaruar dhe çështjen e largimit nga maxhoranca, por sipas tij PDIU s’ka qenë asnjëherë në qeverisje. Ai ka theksuar se Partia Socialiste e ka goditur PDIU-në dhe nuk e ka lejuar të fitojë mandatin në Tiranë dhe në Fier. Ndërkohë që ai priste të gjendej zgjidhje për çështjen çame, palët ranë dakord që të mos e përfshinin në axhendën e diskutimeve. “Flitet për një ikje nga PS, por ne nuk kemi ikur nga askush. Ne nuk jemi pjesë e qeverisjes.
Mandatet e PDIU janë vjedhur nga kjo maxhorancë. Ne kemi parë një sjellje jokonkrete me PDIU, pra, në këtë kuptim ne gjatë gjithë kohës kemi qenë në opozitë dhe të shkojmë zyrtarisht me opozitën. Ne u goditëm nga kjo maxhorancë me mandatin e Tiranës dhe të Fierit. Ne prisnim të zgjidhej çështja çame, ndërsa mes palëve diskutohej nëse duhet të ishte apo jo çështja çame në bisedime.
Pra, lënia jashtë e çështjes çame është e papranueshme. Bushati nuk kërkon të na takojë për çështjen çame. Një shtet rrumpallë, edhe po të dojë ta marrë baba im pasaportën, nuk e arrin dot”, tha Idrizi.
TAKIMI
Kreu i PDIU-së foli edhe për takimin që do të zhvillojë sot me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Sipas tij, kudo që shkon PDIU, partia e Vangjel Dules ikën. “Unë do takohem nesër (sot) me Lulzim Bashën. Unë mendoj se për herë të parë ky vend duhet të ketë një të djathtë solide. Populli duhet të thotë në votime që unë, nëse votoj për të djathtën, të votoj për më pak taksa. PDIU ka qenë një parti e konsoliduar, ju e dini që ne kemi fituar edhe bashki dhe do fillojmë një organizim brenda partisë për ta bërë gati për sfidat elektorale”, ka thënë ai. Po ashtu, ai shtoi se nuk e ka problem që në koalicionin e opozitës është edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules.
“Ne vlerësojmë kontributin e të gjithëve në opozitën e bashkuar dhe nuk është problem se është edhe PBDNJ me opozitën. Ne po bëjmë një aleancë me PD dhe më pas do kërkojmë një marrëveshje me të gjithë aleatët. Në asnjë rast nuk kam konvencionuar interesa personale. Ne nuk kemi asnjë problem me kauzën e Vangjel Dules, siç është edhe çështja e Çamërisë. Ne e kemi konfliktin me qeverinë greke, e cila duhet t’i hapë rrugën çështjes së Çamërisë. I them Dules, mos u merakos se interesat e Greqisë i mbron Kryeministri Edi Rama. Ne nuk e kemi problemin me Vangjel Dulen. Kudo që shkojmë ne, ata ikin. Se çfarë kanë folur Dule me Bashën, s’e di, s’është problemi ynë”,tha Idrizi.