Sali Berisha, djali dhe ish ministrat e tij duket se po i shpëtojnë aferës së CEZ. Edhe pse është cilësuar si një prej dosjeve më të mëdha korruptive në vend, prokuroria ka ngecur në hetime. Janë bërë një vit e gjysmë nga padia e bërë për Berishën dhe 21 zyrtarë të tjerë, por prokuroria nuk po e mbyll dot dosjen. Hetimet janë zvarritur nga dita në dita dhe tashmë çështja ka ngelur te Nuel Kalaj. Ai është sekseri që lidhi Berishën me CEZ dhe cilësohet si dëshmitari kyç. Por prokuroria nuk po e gjen dot dhe ka lënë pezull hetimet. Për këtë arsye dje ju drejtua për të tretën herë gjykatës, ku kërkoi zgjatje me 3 muaj të hetimeve.
Prokuroria në kërkim të Nuel Kalajt
Në Shqipëri janë mbyllur të gjitha proceset dhe tashmë po kërkohet dëshmia e Nuel Kalajt, i cili është sekseri që afroi CEZ me Sali Berishën. Ai është mes të kallëzuarve dhe pretendohet se është personi që ka dijeni për të gjitha aferat. Prokuroria ka lëshuar për të dy thirrje që të paraqitet për të dëshmuar dhe ai e ka refuzuar. Kalaj është me origjinë nga Kosova dhe ka dy banesa, një në Kosova dhe një në Francë. Prokuroria ka kërkuar ndihmë dhe nga autoritet e këtyre dy vendeve për të gjetur Nuel Kalajn dhe ky i fundit nuk duket askund. Mirëpo, nëse përgjigjja e letërporosisë nuk mbërrin brenda fundit të tetorit 2018 prokurorët janë të detyruan të kërkojnë sërish shtyrje të afatit. Megjithatë, duke se hetimet për këtë çështje do të zvarriten sërish, nisur kjo nga fakti se shume dosje të nxehta kane mbetur peng i letërporosisë. Thënë më troç me sinjalet që po jepen ish-kryeministri Sali Berisha dhe të kallëzuarit e tjerë për këtë çështje pritet që t’ia hedhin paq. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Dosja CEZ-DIA
Një tjetër patate e nxehtë në sirtarët e prokurorisë është edhe dosja CEZ-DIA. Më konkretisht, në 19 tetor 2017, juristi i OSHEE Romeo Kara bëri një padi penale pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndaj 7 personave, mes të cilëve ish-kryeministri Sali Berisha, Presidenti Ilir Meta dhe 5 zyrtarë të tjerë duke i akuzuar se i kanë shkaktuar shtetit 39.5 milionë euro dëm nga marrëveshja e arritur mes CEZ dhe DIA për mbledhjen e borxheve. Por edhe pse kanë kaluar gati 1 viti, kjo çështje ende nuk është zbardhur. Gazeta ka mësuar se dosja vijon të jetë në shqyrtim paraprak nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Megjithatë, edhe për këtë çështje të akuzuarit duket se do t’ia hedhin paq. Sidoqoftë, edhe për këtë çështje na duhet të presim për të parë se çfarë do të ndodhë më konkretisht gjatë ditëve në vijim./sot/