Në orën 21.00 në sallën “Dom-Kinon” të Moskës, e cila ndodhet në Bulevardin e Leningradit u shfaq filmi Skenderbeu.
Në hollin e saj kishte një ekspozitë fotografike me ngjyra me pamje nga xhirimet e filmit, ndërsa kudo, edhe brenda në sallën e madhe, përhapeshin melodi popullore shqiptare.
Kur ambasadori Mihal Prifti nisi të fliste, poltronat e kuqërremtë të sallës i kishin mbushur afro njëmijë vetë, ku njëqind qenë studentë shqiptarë në BRSS.
Në fjalimin e shkurtër përshendetës të ambasadorit u fol për rendësinë e figurës së Gjergj Kastriotit si edhe festat e 28-29 nëntorit. Por ajo që bëri përshtypje në sallë ishte një fragment, të cilin numuri një i përfaqësisë diplomatike të Tiranës në Moskë, e citoi nga vëllimi i gjashtë i arkivit të Karl Marksit e Frederik Engelsit, sipas të cilit Marksi pati shkruar se “Jeniçerët pas vdekjes e bënë Skënderbeun të shenjtë”.
Më pas shfaqja e filmit kaloi mjaft mirë dhe sipas përshtypjeve të para efekti mbi auditorin kishte qënë shumë mbresëlenës. Në shënimet e mbajtura me këtë rast qenë theksuar edhe reagimet e sallës, kur, përshembëll, në një nga skenat turqit i rrëmbejnë një nëne të birin, djalë të ri, në shënimet e mbajtura thuhet “është shprehje urrejtjeje për turqit”.
Kur ushtarët osmanë në sulm për të pushtuar kalanë e Krujës digjen me zift nga kështjellarët shqiptarë, thuhet “ka shprehje kënaqësie”.
Kur Donika ia kthen doktorit gotën e ilaçit, në të cilën brenda ka helm, duke i thënë që më parë ta provojë vetë, sipas shënimeve të mbajtura gjatë shfaqjeve të filmit “në sallë dëgjohen fjalët “Mollodjec”, pra “të lumtë”.
Në raportin përmbledhës për veprimtarinë, drejtuar Tiranës, thuhet po ashtu se ambasadorja bullgare Stelle Bllagojeva pas filmit pati deklaruar se “Skënderbeu juaj është i madh dhe i shkëlqyeshëm, duhet t’ja tregoni të gjithë botës, edhe turqve”.
Ndërkaq ministri i Iranit Nadir Araste që në minutat e para pas përfundimit të seancës së shfaqjes i deklaroi ambasadorit shqiptar Mihal Prifti se “Filmin mbi Skënderbeun duhet ta shfaqim patjetër në Iran që të frymëzohet populli në luftën e tij për naftën”.
Në raportin informativ për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë thuhej gjithashtu se këshilltari i parë i ambasadës çekosllovake pati pohuar: “Skënderbeu ka qënë i shekullit të pesëmbëdhjetë, por ai është aktual edhe sot për italianët dhe jugosllavët”.
Kurse këshilltari kinez e gjeti filmin “plot me ideologji”.
Të nesërmen ishte numri dy i BRSS, Mollotovi, i cili shprehu keqardhjen që nuk kishte qenë dot i pranishëm në sallën “Dom-Kinon”. Ai u shpreh: “Kam marrë vesh se doli filmi për Skënderbeun. Thonë se është i mirë, por unë akoma nuk e kam parë. Do ta shoh patjetër. Disa artistë janë shqiptarë”.
I vëmë në dukje lexuesit se shfaqja e dytë në Moskë e filmit “Skënderbeu” u bë në mbrëmjen e 30 nëntorit në po të njëjtën sallë. Kësaj rradhe të njëmijë vendet i kishin zënë studentë shqiptarë
Duhet, me këtë rast, ritheksuar se filmi ishte bërë me një objektiv të palëkundur antianglo-amerikan. I vihej përballë “Valuable”, operacionit të fshehtë ushtarak të Perëndimit kundër Shqipërisë dhe tërë kampit socialist.
Ja edhe pse titulli ishte zgjedhur për të dhënë këtë mesazh përballimi të anglo-merikanëve: ‘Skënderbeu-Luftëtar i madh i Shqipërisë”.
Siç rodhën ngjarjet rolin anti Perëndim filmi do ta luante, sidomos kundër Vatikanit dhe Kishës Katolike, aleate e parë e amerikanëve dhe e britanikëve, por atë kundër “Valuable” jo. Ky ndërkohë, i dështuar, po fikej. Merrte frymën e fundit. Pas më pak se tre muajsh, në fundshkurt 1954, shefi i CIA-s Xhon Harrison, shkoi në Londër dhe njoftoi MI-6 britanike se “Operacionet për rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri, do të merrnin fund menjëherë”.
Pas kësaj, gjatë tërë motit 1954, do të kyçeshin njëri pas tjetrit tërë bazat prej ku stërviteshin dhe dërgoheshin për diversion grupe antikomuniste.
Ndërkohë që shuhej kjo “luftë e nxehtë”, shpërtheu papritur një “e ftohtë”. Në shfaqjen përuruese të bërë në Moskë, në 28 nëntor 1953, palës shqiptare i ra në sy jo për mirë mungesa e ambasadorit italian. Diplomati i dërguar në këmbë të shefit të tij të munguar shqiptoi formulën “Me keqardhje ju komunikoj se ambasadori dëshironte ta shihte filmin për Skënderbeun, por nuk mund të vinte se ishte i zënë. Ndërkohë m’u lut t’ju them se do ta shohë patjetër njëherë tjetër”. Mihal Prifti nuk e humbi rastin, që në përgjigje të thoshte: “Po mbaj shënim mbi këtë njoftim dhe i rekomandoj zotit ambasador që ta shohë filmin për Skënderbeun, sepse është shumë interesant”.
Por mungesa e ambasadorit italian nuk qe aspak e rastësishme. Për ta kuptuar këtë na duhet të lexojmë një promemorje (raport përmbledhës) të Legatës Shqiptare në Romë, me temë “Mbi punën e sektorit të shtypit, propogandës dhe kulturës së Legatës së R. P. të Shqipërisë në Romë gjat vjetit 1954”.
Në një pjesë të saj thuhet: “Këtë vjet nuk kemi bërë nonjë çfaqje filmi, sepse nuk kemi pasur. Filmin “Skënderbej nuk u pa e arsyeshme ta çfaqnim neve zyrtarisht, sepse për shkak të disa pjesëvet’ të tij në lidhje me Republikën e Venetikut e tjera nuk do të priteshe mirë nga autoritetet e këtushme. Këtë e çfaqëm në mënyrë të kufizuar së bashku me ambasadën sovjetike. Mendojmë se për vitin e ardhshëm duhet të furnizohemi me filma e dokumentarë për t’i çfaqur këtu dhe duke u menduar tja japim edhe shoqatës (Shoqata e Miqësisë Itali-Shqipëri-shënimi ynë”.
Në një raport të dytë, më të plotë, për punën propagandistike dhe kulturore të degës së shtypit të Legatës në 8 qershor 1954 dërguar qendrës në Tiranë, i komunikohet: “Për filmin “Skanderbeg”: Me qënë se nga ambasada sovjetike na njoftuan se ata do të marrin si shpejti këtë film dhe me qënë se ata e mendonin më të përshtatshme që të bëjnë çfaqen e atij filmi që do të marrin ata dhe që është në rusisht, nuk po bëjmë gjë për ta çfaqur këtë me përfaqësuesit diplomatikë dhe me miqtë italianë. Me gjithë këtë kemi menduar që ta çfrytëzojmë këtë rast duke bërë një çfaqje vetëm me arbëreshët që ndodhen këtu në Romë duke ftuar nja 50 veta prej tyre. Për këtë me ndihmën e disa miqvet kemi marrë masa dhe kemi në plan që nga data 15 qershor të bëjmë çfaqjen e tij. Mbas kësaj do ta dërgojmë në Pragë filmin me anë të Legatës çeke”.
E vërteta ishte se përfaqësitë tona diplomatike në fillim nuk kishin kopje të mjaftueshme të tij (të paktën një për çdo shtet) dhe në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka një korespondencë telegramesh të sekretuara mes ambasadorit tonë në Moskë Mihal Prifti dhe udhëheqjes së tij në Tiranë. Kjo ka ndodhur gjatë tërë janarit 1954.
Prifti ngul këmbë se sigurimi i kopjeve të mjaftueshme të filmit me shirit 16 mm nuk mund të sigurohet nëpërmjet ministrive të Jashtme përkatëse, por atyre të Tregtisë. Ndërkohë këshillon që këtë punë ta kryejë një delegacion shqiptar i tregtisë, i cili ato ditë janari 1954 ndodhej në Moskë.
Por filmi për Skënderbeun marrshonte triunfin e tij në tërë kontinentin evropian. Në 26 mars 1954 ai u shfaq në Festivalin e Kanës dhe u vlerësua i suksesshëm.
E megjithë këtë jehonë të dukshme ndërkombëtare këtu u përsërit gjesti humorkeq i palës italiane: Në shenjë të hapët proteste delegacioni italian iku nga salla.
Por shumë shpejt opinioni mbarë italian do të ndahej më dysh. Përballë qeverisë së vendit ishte ndikimi në të kundërt i Partisë Komuniste Italiane, e cila zotëronte influencë të madhe mediatike, por edhe ndjekës politikë.
E përditshmja e saj e fuqishme “Unità” menjëherë pas shfaqjes së filmit botoi një shkrim, në të cilin shprehte mendimin se “Skënderbeu, që u shfaq në natën e dytë të festivalit, meriton çmimin e madh. Është një vepër me ngjyra, me 12 kapituj. Janë të 12-të fazat themelore të jetës së heroit, që nga fëmijëria e princit të vogël Gjergj Kastrioti, që ia rrëmbyen familjes së tij dhe e shpunë në Turqi që të bëhej jeniçer i sulltanit, gjer në pleqërinë e pamposhtur të prijësit. Skënderbeu i ndaloi turqit të mos invadonin Italinë që ata kishin në mendje”.
“Unità” pati qëlluar në shenjë: Gjergj Kastrioti me veprën dhe jetën e tij kushtuar atdheut të vet kishte mbrojtur historikisht edhe Evropën e krishterë e mbi të gjitha Italinë, po ashtu Selinë e Shenjtë të Vatikanit. Qe tjetër gjë interpretimi propagandistik që i kish bërë kësaj vepre filmi si vepër e prodhuar prej Bashkimit Sovjetik dhe kampit socialist, përfshi në rol të parë edhe Shqipërinë.
Studiuesi Spiro Mëhilli, i cili i ka kushtuar vëmendje tematikës së filmit sovjeto-shqiptar “Skënderbeu”, vë në dukje edhe disa hollësi të tjera. Sipas tij, këto i zbulon në 4 prill 1954 gazeta “Zëri i Popullit”. Ajo njoftoi se një ditë më parë, “më 3 prill 1954, në Kanë është duke u zhvilluar Festivali i 7-të Ndërkombëtar i Filmit. Delegacioni sovjetik përbëhej nga G. Aleksandrov, Lubov Orlova, Sergei Jutkeviç, Akaki Horava, Klara Luçko dhe Litvinenko”. Sipas “ZP”, “gazeta lokale franceze “Le Patriot” ka shkruar se ky film qe një interpretim i shkëlqyer i Skënderbeut nga Akaki Horava, shfaqje e mirë e aktorëve të tjerë, muzikë e shkëlqyer dhe teknikë e lartë”.
Ja edhe një detaj mjaft interesant: ky film qe paraqitur “në emër të Shqipërisë, ndërsa kinematografia sovjetike me një film tjetër, mbasi në Festivalin e Kanës, ato vite, një shtet nuk mund të paraqitej me dy filma”.
(Vijon)
Ylli Polovina