Nga Anta Muçaku
I premtova vetes mbrëmë se nëse do ishte finalizuar ndonjë operacion i madh apo do ishte arrestuar ndonjë kriminel, do bëja sikur e harrova atë që ndodhi e madje do përgëzoja policinë e shtetit por kur zgjohem sot dhe mësoj se ishte thjesht një “kontroll rutinor fundjave”, thjesht sa më bëhen më të forta ato skena terrori, banditeske, nga ato që të nëpëmërkëmbin dinjitetin dhe qytetarin e zakonshëm, e bëjnë të duket kriminel.
Isha ende nën efektin e skenave të “Mission Impossible” me Tom Cruise. Ishte filmi më i gjatë që kisha parë ndonjëherë në kinema. Ose ndoshta ashtu m’u duk për faktin që, kur dolëm nga salla, kishte kaluar mesnata.
Ishim 3 familjarë (dy prej nesh gazetarë), me një makinë që nuk e tejkalon vlerën e 4 mijë eurove, rrugës për në shtëpi.
E ndërsa po diskutonim ende për rolin e Cruise e po mendoja se si “ai djalosh nuk plaket kurrë”, para nesh po bëhej “nami”. Skena të ngjashme me ato të filmit aksion që sapo pamë.
Makinat e “SHQIPONJAVE” kishin bllokuar rrethrotullimin e “Pallatit me Shigjeta” dhe të maskuar nxirrnin jashtë makinave këdo. Të rinj, të reja e familjarë, kthyer pas, mbështetur nëpër makina me duart lart e këmbët e hapura, ndërsa efektivët e maskuar i kontrollonin lart e poshtë për kushedi se çfarë!
S’patëm kohë as të kuptonin ç’po ndodhte! Shqiponjat na bllokuan edhe ne.
Po prisja si fillim që djali i cili urdhëroi shoferin të zbriste, të na kërkonte në fillim ndonjë letër identifikimi a të na thoshte me qetësi pse na ndaloi por JO! Thjesht urdhëroi :“ZBRISNI NGA MAKINA”!
I thashë se ishim gazetarë duke menduar se bëhej fjalë për ndonjë keqkuptim por as që ma vuri veshin.
E ndërsa po shihja në anën e shoferit, u hodha instiktivisht përpjetë kur një efektive gjithashtu e maskuar, së cilës i dalloheshin vetëm sytë e zinj, lyer fort me laps, nisi t’i binte si e tërbuar xhamit tim.
“DIL NGA MAKINA, DIL NGA MAKINA” bërtiste me nota histerizmi. S’po kuptoja ende çfarë po ndodhte. Në pak sekonda, e pashë veten mbështetur me duart pas makine ndërsa ajo kontrollonte ku mundte.
Më kërkoi çantën. Brenda kisha vetëm antidjersën, kutinë bosh të mbajtëses së syzeve, pasaportën dhe portofolin.
Kur hapi portofolin, u mundova t’i tregoj kartën e gazetares por ajo, pa gjithçka, përveç asaj. Refuzonte ta shikonte duke bërtitur me të njëjtat tone histerizmi: “Nuk më intereson”… dhe vazhdonte gërmonte në çantë me shpresën se do gjente ndonjë gjë që të justifikonte tërbimin e saj teksa unë vazhdoja qendroja me duart lart pas makine.
Mori pasaportën, i shfletoi fletët një nga një. Hodha sytë përreth dhe pashë se ishim me dhjetëra mbështetur ashtu mes maskave, që për nga mënyra si po vepronin, dukeshin si banditë veshur me uniformën e “Shqiponjave”.
Teksa qendroja mbështetur pas makine, sytë më shkuan vetiu te vendi i pasagjerit dhe luta zotin që me vete nuk kishim ndonjë fëmijë.
Në atë orë, megjithë atë arrogancë e terror, nëse do kishim dhe një fëmijë brenda, nuk ka rëndësi në do qe i imi, i tezes, i hallës apo qoftë edhe i komshies… Do kisha harruar punën e gazetares dhe sot me gjasë do isha në komisariat “për kundërshtim të forcave të policisë”.
“Ikni” urdhëruan pas kontrollit edhe të makinës… Më kot po shpresoja për një ndjesë ose ndonjë fjali të tipit: “Kalofshi mirë”!
Me të hyrë në shtëpi, u interesova për të ditur se çfarë po ndodhte. Isha e sigurtë që bëhej fjalë për ndonjë super-aksion. “Shko fli, nuk ka aksion. Kontrolle rutinë”, më tha një burim nga policia.
Risolla dhe njëherë në mendje skenën dhe isha aq e bindur se po ndodhte një operacion i madh, sa mendova se burimi po më gënjente nga frika e ndonjë dekonspirimi të mundshëm.
Për disa orë nuk vura gjumë në sy. Nga shija e filmit s’më kishte mbetur më asgjë. Ndihesha e dhunuar teksa mundohesha me gjithë forcën e arsyes të justifikoja sjelljen e “Shqiponjave”, me mendjen gjithnjë te ai “aksioni i madh”.
Gjumi duhet të më ketë marrë andej nga ora 4:00 e mëngjesit duke bluar nëpër mend këto.
Sapo hapa sytë, kontrollova e-mailin, e sigurtë se aty do kisha edhe njoftimin e policisë për “operacionin e bujshëm” që mesa duket, kishte ndodhur vetëm në mendjen time.
Pyes sërish burimet dhe marr sërish të njëjtën përgjigje: “Thjesht kontrolle rutinore fundjave”. Vetiu më erdhi në mendje Gjetan Gjetani, deputeti që përjashtoi Rama. “Të paaftë”…
Po a nuk quhet paaftësi fakti që efektivët, sikur t’u kishte humbur busulla, ndalojnë e kontrollojnë këdo, thjesht për “rutinë”?! Po pse, na qenkesh rutinë të terrorizosh qytetarët e tu pas mesnate?!
Si mund të kontrollosh pa më të voglën indicie, pa më të voglin shpjegim e njerëzillëk, këdo që qarkullon pas orës 12:00 nëpër kryeqytet?!
Unë jam e para që i kam dënuar sulmet ndaj policisë së shtetit dhe vazhdoj të mendoj se uniforma e policisë është e paprekshme por aq kohë sa nuk prek qytetarët e lirë e të ndershëm.
Nëse mënyra e tyre e vetme për të zbuluar kriminelin, është kontrolli i gjithkujt, atëhere kjo punë qenka punë shansi! Kurse ne… kavie eksperimentale.
Dje RENEA dështoi në aksionin e saj dhe, në përpjekje për të kapur dy kriminelë, plagosi me plumb në kokë një burrë që po flinte në dhomën e tij. Rrethanat, edhe vetë policia i ka të paqarta.
Aksione policeske, ka kudo në botë. Aksionet kanë historitë e tyre të suksesit e dështimeve por askund në botë nuk ndodh që një qytetar i lirë të trajtohet si kriminel.
Për aq sa më ka rënë rasti të udhëtoj jashtë, kurrë s’më kanë dëgjuar veshët e parë sytë që uniformat blu të vendosin post-blloqe ashtu kot për “rutinë” e të ndalojnë, këdo, pa përjashtim, pa indicie… thjesht për statistikat e fundjavës.
Për ta, 2500 kontrolle në javë, mund të jenë statistika por për qytetarin e lirë janë 2500 raste terrori, poshtërimi.
Po jetojmë një kohë kur krimineli lëviz lirisht me politikanin e trajtohet si zotëri ngado ku shkon, kurse qytetari qendron me duart lart, mbështetur në ndonjë makinë, duke shpresuar se ditë më të mira do vijnë edhe për policinë e shtetit.