Mërgim Mavraj u prezantua sot në Selanik në radhët e klubit të Arisit, ku do të luajë për ngjyrat e këtij ekipi në sezonin në vazhdim. Ishte një ditë special për Mavrajn, pasi ai u prit nga shumë gazetarë dhe shumë tifozë, një takim të cilin e përshkuan emocionet.
“Faleminderit të gjithëve për pritjen. Jam shumë i lumtur që jam këtu në një vend special. Kam parë fushën e lojës, por tani po mundohem të imagjinoj se si do të jetë kur do të zbres në fushë përpara tifozëve të tillë”, tha mbrojtësi kuqezi para gazetarëve, dukshëm i entuziazmuar dhe i prekur nga pritja. Më pas Mavraj ka pranuar se ishte Migjen basha që e bindi t’i bashkohet projektit të kësaj skuadre.
“Basha më ka treguar shumë gjëra të mira, të cilat më bindën që të vija këtu. Tani më mbetet të takoj shokët e skuadrës, trajnerin, të ndjej atmosferën në dhomat e zhveshjeve dhe pres me padurim që të luaj”, tha Mavraj, i cili nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e të hënës ndaj Levadhiakos. Kujtojmë që Mavraj ka disa muaj që nuk luan sepse Hamburgu e përzuri nga ekipi deri sa palët ranë dakord për ndarje me mirëkuptim. /Pamfleti Sport