Mirlind Kryeziu, mbajeni mend këtë emër, pasi premton shumë. Në fakt, nuk është se do të vuani shumë për të memorizuar mbrojtësin e Zürich-ut, pasi 21-vjeçari shihet si një nga lojtarët me shumë të ardhme në Zvicër. Titullar tek ekipi i tij, i ri, strukturë trupore interesante, pasi është 193 centimetër i gjatë, ishte pjesë e moshave të Zvicrës për U-17, ndërsa tani ka ardhur një moment tjetër kyç i karrierës së tij. Për cilën kombëtare do të luajë?
Zvicra e monitoron, por konkurrenca atje është më e madhe. Kosova e do, pasi trajneri Bernard Challandes ka dalë hapur me dëshirën për ta afruar në skuadër. Shqipëria po punon, pavarësisht se duket një alternativë më e largët, megjithatë në momentin që jemi, mbrojtësi do të na bënte shumë punë, pa anashkaluar faktin se është dhe një element i mirë për të ardhmen.
“Unë do të mundohem të bind çdo njeri. Vetëm atëherë kur dikush arrin në përfundimin se nuk do ta provojë me Zvicrën mund të vijë te ne, sigurisht nëse do të luajë për Kosovën, pasi mund të luajë dhe për Shqipërinë. Për mua vlen vetëm një gjë: dëshira e lojtarit“, – u shpreh trajneri Challande.