Kandidatët për kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit do të duhet që të kalojnë në 3 filtra përpara se të shkojnë në seancë plenare. Gazeta raportoi një ditë më parë se Kuvendi ka nisur procedurat për të zgjedhur pasardhësin e Bujar Leskajt, pas një letre të dërguar nga ky i fundit, që hiqte dorë nga një mandat i dytë.
Sipas ligjit kreu i KLSH propozohet nga presidenti dhe zgjidhet nga Parlamenti. Gazeta e ka deklaruar prej ditësh se po tentohen të bëhen pazare për emrin e ri, pasi Ilir Meta do të ketë aty një njeri të besuar të tijin, në mënyrë që të ketë në dorë institucionet shtetërore.
Por Komisioni i Ekonomisë do të fusë në veting të gjitha kandidaturat që do të paraqesë kreu i shtetit. Gazeta ka mësuar se anëtarët e komisionit të drejtuar nga Erjon Braçe do të kontrollojnë kandidatët për pastërtinë e figurës, përvojën në punë dhe pasurinë.
Pra, do të ndiqet e njëjta skemë si me Prokurorin e Përgjithshëm, ku të gjithë kandidaturat u filtruan në komision dhe më pas në seancë shkuan ata që nuk kishin probleme. Në këtë mënyrë, Komisioni parlamentar i Ekonomisë do të kërkojë të dhëna nga Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar dhe Shërbimi Informativ për të gjithë emrat që do të sjellë Meta.
Po ashtu do të kërkohen të dhëna nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, i cili duhet të thekojë nëse e justifikojnë apo jo pasurinë. Nga ana tjetër, vetë komisioni do të shqyrtojë aftësitë profesionale të secilit, pasi do të verifikohen trajnimet, diplomat, përvoja, etj.
Emri më i përfolur për në krye të KLSH është deputeti socialist Anastas Angjeli. Ai është pjesë e kampit socialist dhe gëzon mbështetjen e deputetëve, por njëkohësisht ka bërë për vete dhe presidentin Meta.
Edhe pse në publik nuk është dukur qartë, ata kanë marrëdhënie të fortë bashkë. Por dyshimet e socialistëve janë se Meta po përdor Angjelin për të kapur KLSH, duke e ditur se ai do votohet nga PS. Për këtë arsye të gjithë do të kalojë në skaner nga Komisioni i Ekonomisë, komision i cili deri më tani ka treguar se ka qenë mjaft i ashpër ndaj kujtdo, përfshirë dhe atyre që janë pjesë e PS.