Ambasadori në ikje i SHBA, Donald Lu, komentoi ditën e djeshme aktualitetin politik dhe zhvillimet e fundit. Gjatë një interviste në “Real Story” me Sokol Ballën, Lu e ndali theksin veçanërisht tek ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Sipas tij, Llalla është një ndër njerëzit që ka penguar reformën në drejtësi, ndërsa theksoi se i është kërkuar drejtësisë shqiptare që të kufizojë lëvizjet e tij në mënyrë që të mos i largohet drejtësisë.
Duke komentuar edhe punën e tij, Lu tha se Adriatik Llalla ka dështuar sepse ka injoruar ligjet e vendit, teksa theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha, si personi që e emëroi, duhet të ketë përgjegjësi për reputacionin e tij. Ambasadori i SHBA paralajmëroi se SPAK dhe BKH do të ngrihen brenda javëve të ardhshme dhe të korruptuarit duhet të frikësohen.
-Cili është dështimi më i madh i Donald Lu në këto 3 vite e 8 muaj në Shqipëri?
Nuk do të thosha zhgënjim, por është diçka ende e papërfunduar. Flas për gjetjen e peshqve të mëdhenj dhe dua ende të flas sepse është vërtetë e rëndësishme për popullin shqiptar…
-Prandaj paskeni veshur edhe çorapet me peshk?
Vesha çorapet e mia të posaçme që t’i shihni. Është me rëndësi për popullin shqiptar që të dijë se qeveria e tyre, policia e tyre, prokuroria e tyre janë vërtet seriozë për luftën kundër krimit të organizuar. Pata një bisedë shumë të mirë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu javën e shkuar. Kanë punuar shumë fort së bashku me prokurorët për të ngritur task-forcën për forcën e ligjit. Po punojnë sot shumë ngushtë me ligjzbatues amerikanë, gjermanë, italianë, francezë, grek, spanjollë dhe kjo ka çuar në suksese reale.
Kemi parë arrestimin e Arbër Çekajt, arrestimin e Met Kananit; janë dy trafikantë droge të arrestuar në Spanjë. Vetëm këtë javë pamë trafikantë të arrestuar në Itali dhe Gjermani. Kjo është e rëndësishme por duhet të jetë vetëm fillimi. Ka shumë më tepër punë për të bërë dhe më vjen pak keq se nuk do të kem mundësi të jem këtu për t’i parë gjithë rezultatet e asaj pune.
-Përgjatë ditëve të fundit shohim dhe ndjejmë shumë aktivitet kriminal. Mendoni se qeveria do të jetë në gjendje të luftojë këtë valë kriminaliteti në vend?
Mendoj se do të jetë në gjendje. Por cilido nga ambasadorët e vendeve të BE, dhe unë kemi thënë dhe përsëritur se kjo luftë midis grupeve të trafikut të drogës, mund të vazhdojë, mund të rritet, derisa policia, prokuroria dhe gjykatësit të kenë kurajën për të arrestuar këta njerëz shumë të rrezikshëm. Kjo luftë kundër krimit të organizuar është e stërmadhe dhe do të kërkojë sakrifica reale nga qeveria. Unë për vete jam i skandalizuar që dy vjet e gjysmë pasi qeveria greke nxori urdhër-arrestin, ende nuk e kemi kapur Klement Balilin.
Jam i skandalizuar që Lul Berisha lirohet herët nga burgu dhe që mund të ecë i lirë nëpër rrugët e Durrësit. Dhe jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku Shullazi vetë ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq. Si ka mundësi që ky vend që do të ecë përpara kur ndodhin këto gjëra? E di që Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku dhe Ardi Veliu do të gjykohen mbi faktin nëse do të jenë të aftë t’i vënë këta kriminelë pas hekurave.
-Ndodhën ndryshime në prokurori dhjetorin e kaluar, e ju po thoni që prokurorët tani kanë edhe më shumë frikë se më parë për të hetuar dhe për të nxjerrë në gjyq kriminelët e supozuar?
Më lejoni të them që të gjithë kemi punuar shumë ngushtë me Arta Markun që kur u bë kryeprokurore e përkohshme. Më lejoni të them që unë dhe stafi im takohet çdo javë për t’i kërkuar informacion dhe për të t’i dhënë mbështetjen tonë në luftën kundër grupeve kriminale. Ne besojmë se është një profesioniste e vërtetë që është përpjekur të bëjë detyrën e saj. Mendoj se është në përmirësim krahasuar me paraardhësin, por ka edhe pritshmëri të mëdha për çfarë do t’i duhet për të bërë për të patur sukses.
-Le të flasim për paraardhësin e saj. Lufta me zotin Llalla sikur u bë pak personale, apo jo?
E kam thënë dhe po e përsëris edhe një herë. Nuk kam asgjë personale me zotin Llalla. Mendoj se shumë shqiptarë dhe unë personalisht ndjejmë se z. Llalla përfaqëson zyrtarët e shumtë që janë përpjekur të pengojnë zbatimin e reformës së gjyqësorit. Gjithashtu, Sekretari i Shtetit e ka shpallur z. Llalla si zyrtar të lartë të korruptuar.
Prokurorët, në Shqipëri, po e hetojnë aktualisht për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre. Kemi përgëzuar vendimin e gjykatave për të sekuestruar asetet e tij shumë të mëdha të pashpjeguara dhe kemi nxitur gjyqësorin në vend që të kufizojë lëvizjet e tij në mënyrë që të mos i largohet drejtësisë.
-Dua të risjell në vëmendje një pjesë shumë të shkurtër të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pak muaj më parë u shpreh se ambasadori Lu duhet të japë përgjigje për akuzat, edhe pse nuk është shqiptar, sepse është zyrtar publik i SHBA. Ai kërkoi sqarim për akuzat e Llallës për lidhjet me Soros.
Mendoj se doktor Berisha është personi që e emëroi zotin Llalla si Prokuror të Përgjithshëm, ndoshta ka një ndjenjë përgjegjësie për reputacionin e zotit Llalla.Por dua të përsëris atë që kam thënë më parë që nëse unë jam një zyrtar qeveritar, deklaroj pasurinë time çdo vit tek qeveria për 27 vjet në mënyrë transparente dhe besnike, zoti Llalla nga ana tjetër, dikush që dhe po akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion, më ka akuzuar mua për sjellje të papërshtatshme lidhur me një kompani e cila në atë kohë kishte investitorë amerikanë.
Nëse ndokush dyshon për qëllimet e mija me atë kompani, duhet të lexojë letrën që unë i shkrova zotit Llalla. Ai e ka bërë publike letrën. Letra thotë se unë, ambasadori i SHBA, i bëj thirrje zotit Llalla të respektojë ligjin dhe sigurisht kjo mund t’i duket skandaloze dikujt që mënyrë rutinë i injoron ligjet e këtij vendi.
-Nuk e kishit për Sali Berishën besoj…
E kisha parasysh Adriatik Llallën.
-Po për Sali Berishën çfarë mendoni?
Siç e përmenda, pata një takim të këndshëm. Është një ish-president dhe një ish-kryeministër i këtij vendi. Nuk është më kryetar i PD, por unë mendoj se është dikush që sidomos në opozitë, kur thotë diçka, njerëzit e dëgjojnë. Ndaj i kam qenë mirënjohës që ka patur vullnetin të ulet me mua dhe kur kemi qenë dakord, apo nuk kemi qenë dakord, të ulemi për të pasur një dialog shumë konstruktiv dhe të mirë.
-Nëse thoni se Berisha ishte në mbështetje të BKH dhe SPAK, atëherë cilët janë politikanët që ju përmendët disa herë që u përpoqën apo po përpiqen të pengojnë krijimin e këtyre strukturave?
Ju si gazetarë e kujtoni situatën e tensionuar në javët para miratimit të reformës së gjyqësorit. Ishin të frikësuar. Socialistët ishin të frikësuar, demokratët ishin të frikësuar, LSI ishin të frikësuar. Nuk kishin frikë nga ne apo nga ata, kishin frikë të ktheheshin tek bashkëshortet, fëmijët dhe fqinjët e tyre nëse nuk e miratonin reformën.
Populli shqiptar kishte pritshmëri shumë të larta që do ta bënin, saqë kishin frikë se ç’mund të ndodhte në komunitetet e tyre nëse nuk bënin asgjë. Ne si të huaj u përpoqëm të bënim qeverinë dhe opozitën, të gjenim një shteg dhe të binim në një mendje.
-Pse duket sikur reforma në drejtësi ka hyrë në një lloj ngërçi dhe të gjitha partitë politike nuk duken më aq të interesuara të kontribuojnë për këtë reformë, sidomos kur flitet për përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të reja?
Sokol, është shumë e thjeshtë. Kanë ende frikë. Ishin të frikësuar në 2016-ën, janë të frikësuar edhe tani. Por shih rezultatet që janë arritur tashmë nga reforma – 20 gjyqtarë dhe prokurorë u dorëhoqën, 23 janë shkarkuar nga KPK, komisionet e vetingut, 27 janë konfirmuar. Një total prej 70 zyrtarësh që i janë nënshtruar këtij procesi në gjashtë muajt e fundit. Është një rezultat shumë i mirë për popullin shqiptar. Dhe faza e ardhshme është edhe më e thellë. Keni ngritjen e KLP, KLGJ dhe krijimin e prokurorit të pavarur SPAK dhe hetuesve të BKH. Kjo u kall frikë në zemër krerëve të krimit të organizuar dhe politikanëve të korruptuar.
-A mendoni se do të funksionojë në të vërtetë? Sepse ka shumë kritikë për mënyrën sesi u krye reforma në drejtësi…
Kushtetuta juaj parashikon që ka një rrezik anshmërie, prandaj janë përfshirë edhe ndërkombëtarë, jo për të marrë vendime, por për të monitoruar. Kemi njerëz shumë të mirë, gjyqtarë dhe prokurorë shumë të mirë që janë në ONM që shohin çdo ditë sesi po kryhet dhe kur shohin diçka, ngrenë pikëpyetje. Sa i përket BKH dhe SPAK, ne, qeveria e SHBA, kemi marrë një angazhim përpara jush, Shqipërisë, që ne do të paguajmë për këshillimin, trajnimin dhe pajisjet për BKH.
Kjo është diçka që do ta bëjë FBI dhe Departamenti i Drejtësisë. Departamenti i Drejtësisë ka prokurorë federalë këtu në vendin tuaj që kanë thënë se ne do të këshillojmë dhe do të ndihmojmë për krijimin e SPAK. Jam i bindur që kur këto institucione të jenë funksionale, çka besoj se kjo do të ndodhë në vjeshtë në javët e ardhshme, kjo do të jetë një arritje madhore për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.
-Lulzim Basha kërkon të ashtuquajturin veting të politikanëve. A mendoni se ka nevojë për këtë?
Opozita ka vënë në tavolinë një propozim që e konsideroj interesant. Ne në Amerikë kemi shprehjen “Djalli qëndron tek hollësitë”. Ne po studiojmë hollësitë e propozimit të tyre tani. Kryeministri Edi Rama është shprehur i gatshëm të fillojnë negociatat mbi bazën e propozimit të tyre. Le të shohim se çfarë janë në gjendje të arrijnë këto negociata.
-Si mendoni se do të jetë raporti i ambasadores së re, pasardhëses tuaj, Znj. Kavalec, në lidhje me këtë propozim të opozitës shqiptare?
Ajo do të jetë një ambasadore e shkëlqyer në këtë vend. Kathy do mund të ketë një seancë dëgjimore në Senat këtë muaj. Mendoj se kjo do të ishte mirë për të por do të ishte mirë edhe për Shqipërinë. Unë besoj se ajo do të jetë akoma dhe më e ashpër se Don Lu apo Romana Vlahutin apo të gjithë ne, mbi të njëjtat çështje, reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta. Pse? Sepse është në interesin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
-Jeni akuzuar, së bashku me ambasadoren Vlahutin, nga opozita e sotme. Si i keni përjetuar këto akuza?
Gjëja e fundit që dua të them është se njerëzit shqetësohen ndonjëherë kur ministrat ndryshohen, apo ambasadorët ndryshohen apo njerëzit që janë të përfshirë në reformën në drejtësi. Unë jam shumë i bindur që këto gjëra do të arrihen sepse tashmë janë pjesë e Kushtetutës tuaj, në dokumentin më të shenjtë të këtij vendi. Nuk keni zgjidhje tjetër. KLP dhe KLGJ do të ngrihen në javët e ardhshme, pavarësisht nëse Donald Lu apo Sokol Balla janë këtu apo jo, nuk ka rëndësi, ato do të ngrihen. SPAK dhe BKH do të bëhen realitet brenda muajve në vijim, pavarësisht nëse ne jemi apo jo këtu. Janë pjesë e strukturës së ligjeve të këtij vendi.