Një ditë më parë policia me forca të shtuara rrethoi fshatin Nikel e shoqëroi 11 persona mes të cilëve edhe Durim Bami dhe Flamur Haka. Policia njoftoi se operacioni u zhvillua si pjesë e aksionit forca e ligjit dhe se ishte punuar disa muaj për të mbledhur faktet, por në mbrëmje në qeli mbetën vetëm 5 persona ndërsa Bami dhe Haka u liruan.
Të tjerët pas verifikimeve u lanë të lirë. As Durim Bami dhe as Flamur Haka, të cilësuar nga vetë policia si elementë me rrezikshmëri shoqërore të larte, anëtarë të grupeve kriminale aktive në këtë territor, por edhe më gjerë nuk u vunë në pranga, por vetëm disa të afërm të tyre, të cilëve i’u gjetën armë dhe vlera monetare në banesa.
Policia tha mbrëmjen e së mërkurës se ndërhyrja në Nikël erdhi në kuadër të operacionit forca e ligjit që synon goditjen e grupeve kriminale, por po policia thotë se ndaj të arrestuarve rëndojnë vetëm akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Por ata për të cilët policia kishte punuar me muaj, u kapen me bujë në emër të Forcës së Ligjit mëngjesin e së mërkurës e u liruan pa bujë në të njëjtën ditë.
Për ndërhyrjen në disa banesa në Nikël, policia kishte marrë edhe miratimin e gjykatës ndërsa thotë se kishte muaj që gjurmonte veprimtarinë e këtij grupi.
Për grupin e Niklës policia thotë se do vijojë hetimet për rolin dhe aktivitetin anti-ligjor të të dyshuarve dhe disa personave të tjerë të lidhur me ta dhe se operacioni forca e ligjit do të vijojë.