Lulzim Basha vijon me shoun e tij politik nëpër rrethe, ndërkohë që në Tiranë mbahej seanca plenare e radhës.
Ai ka qenë këtë të enjte në Durrës, ku mes të tjerave, ka dhënë për herë të parë një argument, përse nuk do që në propozimin e tij të famshëm për veting në politikë, të përjashtohet hetimi për pasuritë e familjarëve të politikanëve.
Basha thotë se verifikimin e pasurive të familjarëve të tyre, mund ta bëjë Prokuroria.
“SPAK dhe Byroja e Hetimit e kanë juridiksionin e tyre dhe Prokuroria mund të hetojë familjarët, ndaj pretendimi se opozita kërkon të pengojë hetimin e familjarëve është gjëja më e trashë”, tha ai.
Por Basha bie me këmbët e veta me këtë argument.
Kjo, pasi Prokuroria mund të hetojë edhe lidhjet e politikanëve me krimin.
Ndaj, atij i rrëzohet gjithë “projekti” për vetingun në politikë.
Kujtojmë që në propozimin e tij për veting në politikë, Lulzim Basha kërkon vetëm hetimin e politikanëve nëse kanë lidhje me krimin (gjë që në fakt është e parashikuar në Kushtetutë që në vitin 1998).
Në lidhje me pasuritë, sipas Bashës, duhet të verifikohen vetëm pasuritë e familjarëve të politikanëve që dyshohet se kanë lidhje me krimin.
Por dhe për këtë pikë tani ka ndryshuar mendim, pasi thotë se këtë gjë mund ta bëjë Prokuroria.