Detyrimet e prapambetura të aksidenteve vijojnë të jenë një shqetësim sepse ka shumë qytetarë që nuk po arrijnë dot të marrin dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimeve. Një problematikë e tillë shkaktoi ditën e djeshme një përplasje të ashpër në Komisionin e Ekonomisë midis kryetarit të këtij komisioni, Erjon Braçe dhe drejtorit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi.
Gjatë raportimit të tij, Koçi deklaroi Fondi i Kompensimit i miratuar nga Bordi i Autoritetit për vitin 2018 është 1.68 miliardë lekë. Por Braçe i kërkoi llogari për mënyrën sesi shpërndahet ky fond dhe se çfarë po ndodh me detyrimet e prapambetura. “Ne duam të dimë sesi ecën puna me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Keni bërë një raport, por mua mu desh 3 herë ta lexoja që të kuptoja diçka”, tha Erjon Braçe.
Sipas tij, detyrimet e prapambetura deri tani janë shlyer në masën 59%, ndërsa theksoi se shlyerja e plotë e tyre duket e pamundur në një kohë kur ka kompani sigurimi me nivel shlyerje 25-28%. “Raporti që kam përpara është ezauruar deri tani në masën 59%. Por ka kompani me nivel shlyerje deri në 30%. Sesi do të shlyhen të gjitha detyrimet e prapambetura sa më parë, unë nuk e di dhe nuk e kuptoj sepse nëse ecet me këtë ritëm, zor se bëhet.
Si mendoni ju se kompania që ka shlyer deri tani vetëm 25% të detyrimit, do ta shlyejë deri në fund të dhjetorit pjesën tjetër?”, iu drejtua kryetari i Komisionit të Ekonomisë Ervin Koçit. Për Braçen, procesi i kompensimit të qytetarëve është kthyer në një proces korruptiv. Sipas tij, ka shumë qytetarë të cilët ankohen se u kërkojnë para për të marrë atë që u takon.
“A e dini se çfarë thonë? Që e gjithë kjo është kthyer në një proces korruptiv, duhet të lësh paratë që të marrësh paratë. Ai që ka mik, mund të marrë paratë që i takojnë. Ja ky është turpi”, theksoi deputeti socialist.
Ndërhyrja e KLSH
Akuzat e Braçes për punën e kryer nga AMF për sigurimet vijuan më tej, teksa deklaroi se do të kërkojë edhe ndërhyrjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit për të audituar punën dhe mënyrën sesi shpërndahet Fondi i Kompensimit. Për më tepër, ai udhëroi drejtorin e AMF, Ervin Koçi që tani e tutje të raportojë para komisionit çdo dy javë për shlyerjen e detyrimeve, dhe jo çdo 3 muaj siç është tani.
“Për të qenë i ndershëm, unë do të kërkoj që të verifikohen të gjitha këto shifra dhe të dhëna. Dua të di çfarë marrëdhënieje ka AMF me Byronë Shqiptare të Sigurimit. Do të ketë kontroll edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si edhe auditime për këtë çështje dhe për mënyrën sesi ndahet fondi deri në fund. Për të parë suksesin e gjithë këtyre gjërave që keni marrë ju, raportimi juaj do jetë çdo dy javë. Pra, çdo dy javë do ju kërkojmë raportim për shlyerjen e detyrimeve”, tha Erjon Braçe.
Në fund, Braçe i la afat Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare datën 1 janar 2019 për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura. Sipas tij, AMF duhet t’i bëjë vetë llogaritë se çfarë ndodh pas kësaj date nëse një gjë e tillë nuk realizohet. Drejtori i AMF, Ervin Koçi tha dje se deri në datën 10 shtator 2018 shoqëritë e sigurimit kanë kryer rreth 541 milionë lekë dëmshpërblime.
Gjithashtu, shoqëritë e sigurimit kanë lidhur marrëveshje me qytetarët për të paguar me këste detyrimet në vlerën prej rreth 303 milionë lekë. Ndërkohë, nga fondi prej 1.68 miliardë lekë i miratuar për 2018, 923 milionë lekë janë detyrimet e prapambetura të cilat janë për t’u ekzekutuar dhe rreth 745 milionë lekë janë për ngjarjet e sigurimit në proces trajtimi apo proces gjyqësor pa vendim të formës së prerë./Mimoza IBRA