Neglizhimi i rënies së euros nga ana e Bankës së Shqipërisë i ka kushtuar shqiptarëve plot 28 milionë euro. Prej muajsh në tregun e brendshëm ka filluar rënia e monedhës së euros, e cila gjatë kësaj kohe ka prekur edhe pikën e saj më të ulët që nga viti 2009, duke shkuar poshtë vlerës 127 lekë. Të gjithë ekspertët e ekonomisë dhanë alarmin për këtë situatë të krijuar, por ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë për të normalizuar disi rënien nuk erdhi në momentin e duhur.
Pikërisht ky neglizhim shkaktoi në të ardhurat buxhetore një goditje negative, e cila llogaritet në masën 28 milionë euro, ose 3.6 miliardë lekë. Mirëpo edhe pse Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun valutor duke blerë valutë, në një veprim të jashtëzakonshëm, që të ndalohej rënia e lirë e monedhës së përbashkët, efektet nuk janë ato të pritshmet.
Ndërhyrja e bankës i dha një ritëm pozitiv këmbimit valutor dhe në ditët e para u duk sikur euro nisi të merrte “frymë” sërish. Por as ky veprim i jashtëzakonshëm i Bankës së Shqipërisë nuk e ndaloi rënien e euros, e cila pësoi një rivlerësim të vogël që zgjati vetëm pak ditë. Momentalisht monedha e përbashkët evropiane është fiksuar në kuotën e 126 lekëve dhe rritjet e saj dita-ditës janë fare të papërfillshme. Një situatë e tillë vijon që nga fillimi i muajit shator dhe nuk po lëviz.
Kujtojmë që më parë euro në vendin tonë ka kapur edhe nivelin e 140 lekëve prandaj kuota e 126 lekëve mund të themi se është e pamjaftueshme. Pra, në kushtet kur rritja e euros në krahasim me më parë është gati e papërfillshme, është sërish detyrë dhe përgjegjësi e Bankës së Shqipërisë që të marrë masa për kapërcimin e kësaj krize.
Reagimi i ekspertëve
Për ekspertin e ekonomisë, Selami Xhepa, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë për normalizimin e situatës ishte e vonuar. Gjatë një reagimi për gazetën “SOT”, ai tha se banka kishte mundësi që veprimi i jashtëzakonshëm të ndërmerrej edhe më parë, por shtoi se momentalisht situata është e stabilizuar. “Mendoj se Banka e Shqipërisë mori masa për të ndërhyrë e për të frenuar fuqizimin e mëtejshëm të lekut dhe rënien e euros dhe besoj që u rivendos një lloj ekuilibri. Në gjykimin tim, prapë së prapë mendoj që leku është i mbiçmuar, por unë them që ishte ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë që e stopoi një rënie të lirë të euros.
Kështu që unë e quaj efektive ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë. Është e drejtë të thuash që ndërhyrja ishte e vonuar. Ndoshta një ndërhyrje më e hershme mund të kishte frenuar rënien, por ndoshta ishin pasiguritë ato që e bënë bankën të hezitonte”, tha eksperti. Sipas tij, nëse krahasohet më nivelet e mëparshme, niveli momental i euros konsiderohet i ulët.
Në vijim, Selami Xhepa argumentoi se në rënien e euros një faktor mjaft ndikues kanë qenë paratë e pista. “Faktorët që kanë qenë jashtë kontrollit të autoriteteve kanë qenë ato kryesorët që kanë çuar në ndryshimin e këmbimit, të cilat kanë të bëjnë me futjen e parave nga kanalet informale, etj. Duket që tregu është stabilizuar.
Efektivisht kursi mesatar mujor është 126 lekë dhe vazhdon të qëndrojë në mënyrë konsistente pasi kaluan ato turbulencat. Duket se është krijuar një lloj kursi i ri ekuilibri. Nëse kujtojmë pastaj nivelin e 140 lekëve, atëherë ky është një nivel i ulët. Në momente të caktuara kurset e këmbimit pësojnë një lloj zhvendosjeje në vlerën e tyre dhe normalisht sjellja tipike e tregjeve është që kjo lloj vlere të bëhet e qëndrueshme për një periudhë kohe, derisa sa mund të ndodhin ngjarje të tjera apo goditje nga faktorë të jashtëm që risjellin një kurs të ri”, deklaroi Selami Xhepa./Mimoza IBRA