Pas Adriatik Llallës dhe Mirele Fanës, sot ka qenë rradha e Besa Nikëhasanit për të dorëzuar përfundimisht detyrën. Më parë prokurore në Prokurorinë e Apelit Shkodër, tashmë Nikëhasani mund të quhet ish-prokurore, pasi vendimi quhet i formës se prerë. Besa Nikëhasani nuk e kaloi provën e Vettingut në KPK dhe e apeloi vendimin e saj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Por pasditen e së mërkurës, KPA ka dhënë verdiktin e saj, duke lënë në fuqi vendimin e 20 prillit duke shkarkuar kështu përfundimisht nga detyra Prokuroren e Apelit Shkodër. Kolegji i i Posaçëm i Apelimit, do të publikojë vendimin e plotë të arsyetuar brenda 30 ditëve.
Vendimi për largimin nga detyra të Nikëhasanit u bazua vetëm në kontrollin e pasurisë. Hetimi i KPK-së u përqendrua në një apartament banimi në Lezhë- i deklaruar në vitin 2004, një apartament me sipërfaqe 87 m2 në Shëngjin, një njësi shërbimi 150 m2 në Lezhë, një apartament 90 m2 dhe 2 garazhe në Tiranë si dhe një automjet Toyota Land Cruiser.
Sipas KPK-së, prokurorja Nikëhasani nuk justifikoi me dokumente ligjore pronësinë e apartamentit të deklaruar në vitin 2004, që është edhe burimi i pasurisë për blerjen e apartamentit në Shëngjin dhe njësisë së shërbimit në Lezhë. Gjithashtu, Komisioni arriti në përfundimin se subjekti nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e apartamentit në Tiranë prej 90 m2 si dhe blerjen e një automjeti “Toyota Land Cruiser” me vlerë 19,500 euro.