Vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari vijon të jetë në qendër të vëmendjes në Shqipëri dhe jovetëm. Të shumtë kanë qënë ata, të cilët kanë reaguar për këtë ngjarje, duke sjellë dhe ndarë me audiencën versionin e tyre. Mirëpo, teksa sot mbushen 20 vjet nga vrasja e ish-liderit të dhjetorit, kjo ngjarje vijon të jetë ende e pa zbardhur. Ndërkohë që ditën e djeshme për këtë çështje ka reaguar edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes vuri në dukje se për vrasjen e Hajdarit ka ende fakte të pazbardhura. Në këtë kontekst, Koçi i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje dhe të mos kenë frikë nga presionet e Berishës. Sipas tij, impakti i Berishës në sistemin gjyqësor po zbehet nga dita në ditë falë procesit të vetingut dhe se ka ardhur koha që drejtësia të vërë pikat mbi i sa i takon çështjes Hajdari. Por për Koçin Berisha vijon të jetë faktor destabilizues. Teksa i referohet thirrjeve të opozitës për mosbindje civile, Koçi deklaroi se PD e ka në embrion dhunën dhe sipas tij, të gjithë e njohin Berishën që ka prodhuar ngjarje të dhunshme si ’97, “14 shtatori” apo “21 janarin”.
-Nesër është 12 shtatori dhe mbushet 20 vjet nga vrasja e deputetit Hajdari. A duhet të zbardhet ajo ngjarje dhe a duhet të mbaj dikush përgjegjësi?
Unë besoj se për atë çështjen mund të këtë akoma fakte të pa zbardhura. Në media ka patur herë pas here deklarata që implikojnë kryetarin shpirtëror të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Kuptohet që drejtësia ka frikë nga Partia Demokratike sepse drejtuesit e saj ua numërojnë robt e shtëpisë me kuç e me maç kur ua do puna. Por drejtësia e re nuk ka pse tutet nga bota e kriminalizuar e politikes duar ndyer. Sidoqoftë janë institucionet e drejtësisë që thonë fjalën e fundit ne çdo rast. Komentet tona nga njëherë në vend që të ndreqin, prishin punë sepse përfaqësojmë interesa politike të caktuara.
-Si e shihni bojkotin e opozitës dhe thirrjet për mosbindje civile?
Partia Demokratike është e kualifikuar për të ngritur struktura paralele apo shtet paralel. E ka ne ADN-ën e vet këtë mentalitet anti- shtet. Ajo është partia e 14 shtatorit, e 21 janarit, e 97-ës! Nuk bën dot ndryshe. Të rinjtë e Partisë Demokratike bëjnë garë me njeri-tjetrin që kush t’i ngjajë më shumë Sali Berishës. Vetëm ashtu mund të bëjnë karriere politike në partine e tyre. Janë revolucionaret anti-shtet. Frymëzimi tyre është kopjimi i stilit Hamas. Këto sjellje kur afrohen zgjedhjet bëhen edhe me agresive.
-Keni nje koment për koalicionin PD-LSI?
Koalicionet akoma është shpejt për tu formuar. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ngjajnë në shume aspekte, por programet poltike i kanë shume të ndryshme. Kur i sheh bashkë nuk duken çift i çuditshëm politik. Po krushqit përkatës brenda partive në bazë nuk janë shumë dakord me këtë martesë. Të shohim!
-Pse opozita sulmon reformën në drejtësi?
Opozita e ka lidhur fatin e vet me sistemin e vjetër të drejtësisë. Koalicioni i saj me këtë sistem është me i ngjizur se sa martesa mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kriminalizimi shumë vjeçar i drejtuesve të opozitës e ka gjetur shpëtimin te sistemi i vjetër i drejtësisë. Ata i kanë detyrime jetike përfaqësuesve të kësaj strukture tashmë në rrëzim e sipër. Shumica e manovrave, lëvizjeve dhe nismave të opozitës kanë synuar sulmin dhe dështimin e reformës në drejtësi.
-A keni një koment për ndryshimin e kufirit Kosove-Serbi?
Kufijtë janë vijat e kuqe. Nëse nuk bëhet fjalë për rregullime minore.
-Përse Berisha e kundërshton me force korrigjimin e kufijve?
Berisha e ka menduar se me këtë tezë mund të lajë mëkatet e të shkuarës ku përfshihen kontrabanda e naftës për në ish-Jugosllavi, shantazhet ndaj iniciatorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe thirrja që pala kosovare të mbante të njëjtin qëndrim si pala serbe në Rambuje. E ka menduar si një shans për të bere patriotin pas të vjelit. Ndërkaq unë mendoj se politikanët nga Shqipëria nuk kanë të drejtën e profesorit përsa i përket Kosovës. Populli në Kosovë ka zgjedhur nëpërmjet një proçesi të lirë përfaqësuesit e vet në institucionet e shtetit. Janë ata që janë ngarkuar për t’i dhënë përgjigje çdo sfide që përballet Kosova. Ne jemi krah saj qoftë e dhe me këshilla. Por askujt nuk i lejohet t’i vërsulet politikanëve në Kosove sikur të ketë mandatin e profesorit. Aq më tëpër kur profesorlleku vjen nga politikanë të kompromentuar.
-Z. Basha ka hedhur idenë e vetingut në politikë, keni ndonjë koment?
Kjo është një ide sa fëminore aq edhe hakmarrëse në emër të sistemit të korruptuar të drejtësisë. Politika do të këtë përballë Byronë e hetimit, SPAK-un, etj. Ndërkohë ai mendon se me këtë mund të godasë edhe vetingun në drejtësi. Harron se për këtë ka çeçua ndërkombëtar biçak!
Intervistoi:Rigels Seliman