Seanca e parë për Bledar Jambellin dhe Shpëtim Lecin, të pandehur për porositjen e vrasjes së ish-kryepolicit Artan Çuku ka dështuar. Drejtoria e Policisë Berat e Fier nuk ka kryer njoftim e tyre për seancën gjyqësore. Sipas gjykatës këto dy drejtori s’kanë kthyer përgjigje nëse i kanë arrestuar apo jo dy personat e shpallur në kërkim.
Gjykata vendosi t’i drejtohet me ankesë kreut të policisë, Ardi Veliu për moskthim përgjigje nga policia Berat e Fier për të dy të shpallurit në kërkim.
Seanca e radhës bëhet e ditur se do të zhvillohet më 25 shtator. Ndërkohë me një shkrese kthim-përgjigje policia kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme ka njoftuar prokurorinë se këta dy shtetas fshihen jashtë Shqipërisë.
Bledar Jambelli nga Fieri, është njeriu i dyshuar si porositës i vrasjes së kryekomisar Artan Cukut. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të Gjykatës për Krime të Rënda, e cila ka caktuar për të masën e arrestit me burg. Kërkimet policore për kapjen e tij deri me tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat edhe pse janë nisur disa letërporosi autoriteteve spanjolle dhe atyre greke për zbulimin e vendndodhjes së Bledar Jambellit.
Sipas hetuesve, ai kontraktoi të dyshuarin Mikel Shallari, për ekzekutimin e ish-drejtorin e Policisë së Vlorës. Hetuesit thonë se Shallarit i dha fillimisht shumën prej 3 mijë eurosh, ndërsa pjesën tjetër të pagesës do t’ia bënte kur ai te kishte kryer vrasjen, të cilën e realizoi prillin e vitit të kaluar në derën e pallatit ku banonte kryekomisari në rrugën e Kosovarëve në kryeqytet.