Pas kaosit të krijuar gjatë 24 orëve të fundit me fikjen e transmetimeve analoge, duke lënë në terr informativ mijëra qytetarë në qarqet Tiranë dhe Durrës, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bërë sot një hap pas.
AMA vendosi të rindezë sinjalet analoge që do të jenë të aksesueshme edhe për katër muaj të tjerë.
Ky vendim erdhi pas pakënaqësive të qytetarëve të cilët nuk mund të ndiqnin kanalet shqiptare nëse nuk kishin dekoderin e llojit DVB-T2.
Në kushtet kur ky problem u konstatua se ishte masiv, u vendos rikthimi i sinjalit analog.
Lidhur me vendimin ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se nuk mund të ndërpriten sinjalet nëse nuk kanë të gjithë akses në sinjalin e ri dixhital.
“Përshëndes vendimin e autoritetit të pavarur për rindezjen e sistemit të vjetër të transmetimit televiziv. Zbatimi i normës evropiane është një domosdoshmëri, por nuk fiket sistemi i vjetër pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri. #EgjithëVëmendjaPërNJERËZIT”, shkruan shefi i qeverisë.