Lëvizja Socialiste për Integrim mund të quhet me plot gojën partia e korrupsionit. Sa ishte në aleancë me Partinë Demokratike bëri batërdi në dhjetra fusha, por të gjithë zyrtarët e saj ja hodhën paq. Por edhe në aleancë me PS, tradita e LSI ka vijuar. Kur u arrit pakti Rama-Meta, ky i fundit mori disa sektorë kyç, duke filluar nga rrugët, drejtoritë e bujqësisë, hipotekat, burgjet, Portin e Durrësit, hekurudhën, aeroportin, Agjencinë e Ujërave, etj. Por gjatë 4 viteve të fundit në pushtet, në këto zyra duket se nuk është bërë punë, por vetëm është vjedhur.
Vetëm Kontrolli i Lartë i Shteti ka zbuluar me miliona euro abuzime, ndërkohë që po ashtu dëme janë gjetur dhe nga auditimet që kanë bërë vetë ministritë. Sot shumë drejtorë të LSI janë duke u përballur me drejtësinë dhe kjo konfirmon se korrupsioni në dikasteret e mbuluar prej saj ka kapur majat.
Abuzimi me rrugët
Kulmi i abuzimeve të LSI ka arritur me rrugët. Ajo drejtoi Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe gjatë periudhës 2013-2017 edhe pse nuk pati asnjë metër rrugë, abuzimet kapin shifra të frikshme. Për këtë arsye sot po përballet me drejtësinë ish-drejtori Dashamir Xhika. Hetimet kanë nisur pas një auditimi që ka bërë Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës, i cili u përmbyll duke llogaritur një dëm prej rreth 54 milionë dollarësh me kontratat abuzive të aksit rrugor.
Përveç dëmit prej rreth 54 milionë dollarë, auditi konstatoi edhe një shkelje të disiplinës financiare, me vlerë rreth 16 milionë dollarë. Ky dëm, sipas auditit, është shkaktuar nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës, pa burime financimi. Po kështu, raporti i dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shkruan se 25,220,016 dollarë dëme janë shkaktuar nga mosargumentimi i vonesave për zgjedhje teknike financiare të çështjeve të dala, moszbatimi i detyrimeve të lëna nga Këshilli Teknik për kontraktonin e rrugës, duke i lënë hapësirë këtij të fundit për pretendime në zbatimin e projektit për segmentin nr. 1, duke mos përfshirë asistencën e Avokaturës së Shtetit në këtë çështje.
Po kështu, 11,665,552 dollarë dëme janë shkaktuar në të njëjtën mënyrë si më lartë, por kësaj here për një segment tjetër të rrugës, atë nr. 3. Raporti thotë, se 10,816,007 dollarë dëme janë shkaktuar nga pagesat e dyfishta për punë të përfunduara më parë si edhe të shlyera para nënshkrimit të amendimit. Bëhet fjalë për para të hedhura edhe një herë, që s’dihet se ku kanë përfunduar, për një punë që është kryer sipas një kontrate të vitit 2016.
Abuzimet në port
Përveç rrugëve, LSI ka kryer abuzime të shumta dhe në Portin e Durrësit. Pak ditë më parë u kallëzuan penalisht nga Ministria e Transportit 10 emra, mes të cilëve dhe Aleksandër Lipivani. Ai u shkarkua në fund të vitit 2017 dhe ka qenë emërim i LSI.
Sipas ministrisë, ai bashkë me juristë, ekonomistë, inxhinierë apo pjesëtarë të forcave të sigurisë në port, kanë bërë abuzime të shumta me tenderat. “Nga kryerja e veprimeve hetimore në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2017, rezulton se këta zyrtarë të Autoritetit Portual Durrës, gjatë ushtrimit të detyrës, janë përfshirë në veprime të kundra-ligjshme gjatë zhvillimit të tenderit për blerje automjeti, auto-ambulance dhe mjeti zjarrfikës.
Ekspertimi i kryer në lidhje me ofertat e paraqitura për 3 lote të tenderit, ka dokumentuar se ofertat nuk ishin të rregullta dhe janë hartuar nga i njëjti operator ekonomik. Ndërsa në lotet për blerjen e mjeteve auto-ambulancë dhe zjarrfikës, rezulton se mungojnë pajisjet shtesë dhe shpëtuese kundër zjarrit. Hetimi ka provuar gjithashtu se kërkesa për këto mjete ishte e pa-argumentuar, nisur nga domosdoshmëria për to”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Abuzimet në Ujësjellës
Përveç abuzimeve në port dhe rrugë, së fundmi nën hetim janë vënë dhe ish-funksionarë të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime, ish-vartës të ish-ministrit Edmond Haxhinasto. Më 30 mars, Ministria e Energjisë dhe Transporteve kreu një auditim aty dhe zbuloi shkelje. Kjo bëri që të kallëzohen penalisht 3 persona: Ish-drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Ardian Alushi dhe dy vartësit e tij, ish-koordinatorët Klevis Biçaku dhe Albens Alite. Arsyeja e kallëzimit është se kjo agjenci shpenzoi të gjithë fondin për sistemin e ujësjellës-kanalizimit në Tiranë dhe punimet ngelën në mes.
“Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, nuk ka përmbushur detyrat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi, në drejtim të vlerësimit të projektit. “Konkretisht, gjatë procesit të zbatimit të projektit: “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, grupi i auditimit ka konstatuar se: Nga ana e ish Drejtorit të Përgjithshëm të AKUK dhe ish Koordinatorëve të këtij projekti nuk janë përmbushur detyrat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi në drejtim të vlerësimit, monitorimit dhe raportimit mbi zbatimin e projektit”, deklaroi Ministria e Energjisë.
Sipas ministrisë, Ardian Alushi i ka shkaktuar pasoja të rënda buxhetit të shtetit pasi ka rritur koston e punimeve dhe nuk ka përfunduar në kohë punimet. Pra, duket qartë se në sektorët kyç që drejtonte LSI, ka pasur abuzime të shumta./Sot