Partia Socialiste ka rrëzuar planet e opozitës sa i takon vetingut në politikë. Edhe pse kryeministri Edi Rama deklaroi pak ditë më parë se është parimisht dakord me propozimin e Bashës, dje PS është rreshtuar kategorikisht kundër draftit të depozituar në Parlament nga PD. Çështja vetingut në politikë ka dominuar dje mbledhjen e grupit të PS, e cila u drejtua nga Taulant Balla, për shkak se kryeministri ndodhet jashtë.
Balla është shprehur hapur në mbledhje se propozimi i Bashës dhe Kryemadhit është një lëvizje strategjike për të bllokuar SPAK dhe BKH dhe për të shpëtuar Sali Berishën dhe veten nga reforma. Balla e ka bërë të qartë se PS nuk do të pranojë asnjë lloj vetingu nëse nuk përfshihen familjarët e politikanëve dhe pasuria. Ai është shprehur hapur se nuk mund të ketë veting pa u verifikuar pasuria e fëmijëve të Sali Berishës, bashkëshortes së Bashës, familjarëve të deputetëve, ose pa rishikuar dosjet e bujshme të korrupsionit që janë mbyllur nga Adriatik Llalla.
“Propozimi i Bashës është i dështuar dhe propagandë politike. Propozimi është njësoj si t’i zësh rrugën me ferra reformës në drejtësi. Jemi gati për veting të vërtetë. Reforma në drejtësi e garanton 100%. Byroja Kombëtare dhe SPAK që garantojnë plotësisht vetingun e politikanëve, nuk ndalen vetëm tek politikanët, por edhe tek familjarët. Propozimi i Bashës shmang hetimin e familjarëve”, mësohet të ketë thënë Balla. Ai ka deklaruar se PS është gati të nisë negociatat me PD që të bëhet vetingu në politikë, por nuk do pranojë që të pengohet reforma në drejtësi dhe të amnistohen familjarët e deputetëve apo të kalojnë paq të gjithë ata që i kanë të hapura punët me drejtësinë.
PD ka shumë ish-ministra që i kanë shpëtuar drejtësisë, por PS synon që të ketë një rishikim të dosjeve për ta. Gazeta e deklaroi pak ditë më parë se PD dhe LSI duan veting për të anashkaluar SPAK. Sipas Kushtetutës, do jetë kjo prokurori speciale që do kalojë në sitë Presidentin, kryeministrin, ministrat, ish-ministrat, ish-kryeministrat, deputetët, krerët e KLGJ, KLP, etj.
Por sipas socialistëve, opozita kërkon një veting paralel me komisione të ngritura me njerëz të caktuar, në mënyrë që më pas të mbyllet goja e SPAK. Dje në mbledhje u vendos që drafti aktual i PD nuk do pranohet, por dakordësia do jepet vetëm nëse futen familjarët dhe ka verifikim pasuror dhe të rishikohen dosjet e korrupsionit./Kliti TOPALLI