Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i LSI, Monika Kryemadhi gjatë ditëve të fundit shpesh kanë bërë thirrje për revolta të dhunshme kundër qeverisë. Por kreu demokrat Lulzim Basha duket se i ka hedhur përfundimisht poshtë këto alternativa. Basha dje tregoi qartë se PD do të përqendrohet tek alternativat dhe jo tek aksioni politik në rrugë. Kreu demokrat gjatë mbledhjes së grupit parlamentar teksa u ndal tek katër shtyllat e platformës së përbashkët të opozitës për aksionin opozitar, ndau dhe grupet punës që do të merren me këto çështje.
Basha vendosi që deputetët demokrat Ervin Salianji, Oerd Bylykbashi, Rudina Hajdari, Isuf Çela, Xhemal Gjunkshi, dhe Klevis Balliu së bashku me ata të LSI, Petrit Vasili, Klajda Gjosha, Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Brahimllari të merren për të pasuruar shtyllën e parë të aksionit opozitar; atë të dekriminalizimit të politikanëve të lidhur me krimin. Ndërsa sa i takon propozimit për të çliruar drejtësinë nga kapja e kryeministrit Edi Rama, Basha akordoi si grup pune deputetët Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimiri, Flamur Noka, Aldo Bumçi, Dhurata Çupi, Astrit Veliaj si dhe Lindita Metaliaj.
Ndërsa nga radhët e LSI, Basha emëroi deputetët Nasip Naço dhe Silva Caka. Kurse deputetët Oerd Bylykbashi, Genc Pollo, Tritan Shehu, Luan Baçi, Myslim Murrizi, Endri Hasa, Lorenc Luka, Izmira Ulqinaku dhe Anton Frrokaj në bashkëpunim me ata të LSI Luan Rama, Nora Malaj, Floida Kërpaçi dhe Vangjel Tavo u përzgjodhën që të merren me çështjen e sigurimit të zgjedhjeve të lira.
Ndërsa sa i takon grupit të punës që do të merret me çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe korrupsionin qeveritar, Basha përzgjodhi deputetët Edmond Spaho, Grida Duma, Florian Mima, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Bardh Spahia, Halim Kosova, Orjola Pampuri, Agron Shehaj, Nadire Meçorapaj, Luçiano Boçi, Valentina Duka, Hekuran Hoxhalli dhe Fatbardha Kadiun.
Të cilët do të bashkëpunojnë me deputetët e LSI, Përparim Spahiu, Viktor Tushën, Edmond Panaritin, Edmond Haxhinaston, Agron Çelën, Lefter Koka si dhe Shezai Rrokajn. Ndërkohë, pas përcaktimit të këtyre grupeve, katër koordinatorët e grupeve, Ervin Salianji, Luan Rama, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj pritet që të marrin pjesë në Kuvend për përgatitjen e platformës.