Gjykata e Tiranës ka kthyer padinë e trajnerit të Kombëtares së futbollit Christian Panuccit, kundër ish-presidentit të republikës Bujar Nishanit.
Ky vendim është argumentuar nga gjyqtarja Anila Karanxha me faktin se padia e depozituar dhe ku kërkohej nga ish-presidenti Nishani një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh, kishte të meta ne formulimin e saj.
Gjykata e Tiranës nuk ka bërë të ditura konkretisht se çfarë problematikash janë vërejtur në padinë e Panuccit, por mësohet se gjyqtarja i ka kërkuar palës paditëse që t’i plotësojë brenda afatit ligjor të parashikuar në ligj që është 20 ditë. Nëse brenda këtij afati nuk plotësohen kërkesat e parashtruara nga gjykata për padinë atëherë automatikisht padia cilësohet e rrëzuar. Mbetet për t’u pare nëse avokatët e Panuccit do të respektojnë afatin ligjor dhe do ta vazhdojnë betejën moralo-ligjore të nisur me ish-presidentin Bujar Nishani.
Trajneri i kombëtares së futbollit Christian Panucci, paditi në Gjykatë ish-presidentin e republikës, te cilit i kërkon ta dëmshpërblejë me një vlerë prej 100 mijë eurosh, pasi pas ndeshjes miqësore të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku Shqipëria u mund 3-0, Nishani është shprehur për trajnerin e kombëtares se: Panucci është një sharlatan që shkatërron edhe atë që ishte ngritur. Për këtë reagim të ish-presidentit, trajneri i kombëtares Panucci kërkon dëmshpërblim për dëmin moral që i është shkaktuar në publik.